Kujdes! Lojërat gjeopolitike me Kosovën ende janë të rrezikshme

Prishtinë | 17 Qer 2021 | 20:21 | Nga Milazim KRASNIQI

Pavarësia e Kosovës, ka ardhë si rezultat i epërsisë së fituar gjeopolitike të Perëndimit ndaj Rusisë dhe ndaj Serbisë. Politika në Kosovë duhet të mbetet brenda kësaj kornize gjeopolitike e të mos dalë nga shinat e gjeopolitikës së Perëndimit. Nëse del, rrezikon të kthehet nën influencën pansllaviste.

Kosova duket se është e destinuar të jetë vendi në të cilin ballafaqohen dhe ndërrohen pozitat gjeopolitike të Fuqive të Mëdha nëpër shekuj. Ia vlen të bëhet këtu një përkujtesë e shkurtër argumentuese: në vitin 1389 fitorja e Perandorisë Osmane kundër serbëve, e solli një ndryshim gjeopolitik, i cili për pesë shekuj e mbajti prezent dhe me ndikim Perandorinë Osmane dhe Hilafetin në thellësi të truallit europian. Historia e kontinentit të vjetër është e pamundur të shkruhet e plotë pa përfshirjen e ndikimit që pati Perandoria Osmane në fatet e saj, luftërat dhe paqen që e përshkoi jetën e kontinenti për pesë shekuj. Nga kjo rezulton se Beteja në Kosovë e vitit 1389, nuk ka të bëjë vetëm me historinë serbe e atë shqiptare, po me tërë historinë europiane. Riokupimi serb i Kosovës në vitin 1912, po ashtu solli ndryshime të thella gjeopolitike. E inkurajuar nga fitorja dhe masakrat kundër shqiptarëve, Serbia nuk mundi të ndalej, prandaj përfundoi në konflikt ushtarak edhe me Bullgarinë, aleatin e saj në Luftën në Parë Ballkanike. Edhe atentati terrorist serb në Sarajevë kundër dukës Franc Ferdinandit, që i parapriu kasaphanës së Luftës së Parë Botërore, mund të thuhet se bazën ideologjike e pati te mitologjia serbomadhe e prodhuar mbi mitin e Betejës së Kosovës dhe te përligjja e riokupimit të Kosovës. Në shënimin e gjashtëqindvjetorit të Betejës së Kosovës, në vitin 1989, po në Kosovë u valëviten sërish flamujt e luftërave, që do të sillnin ndryshime të thella gjeopolitike në Ballkan. Në mitingun e 28 qershorit 1989, Slobodan Milosheviqi shpalosi idetë e luftërave të reja për krijimin e Serbisë së Madhe, të cilat i filloi dhe i përfundoi vetë. Ndërsa, në vitin 1999, intervenimi ushtarak i NATO-s mundësoi dëbimin e forcave serbe edhe nga Kosova dhe krijimin e një tabloje krejt të re gjeopolitike në Ballkan. Por, ky realiteti i ri nuk është përmbyllur ende. Statusi i pazgjidhur i Kosovës po vazhdon të shfrytëzohet nga Rusia, në përpjekjet e saj për ta rikthyer ndikimin e vet në hapësirat ballkanike. Kërcënimi i Rusisë me veto në Këshillin e Sigurimit kundër Kosovës, më shumë se me synimet imperiale ndaj Ukrainës, Gjeorgjisë e Moldavisë, ka të bëjë me përpjekjet për ta mbajtur, së paku në kuotat minimale idenë rusifikuese në Ballkan. Pas pranimit në NATO të shumicës së shteteve ballkanike, Rusia të vetmen shpresë se do ta mbajë gjallë idenë rusifikuese në Ballkan e ka në Serbi. Historia e gjatë e pansllavizmit dhe e panordodoksizmit në Serbi është ende shumë aktive. Kjo histori ka prodhuar edhe propozime idiotike në ndonjë rast si në vitin 1999, kur nga qeveritarë të atëhershëm, u propozua krijimi i konfederatës serbo-bjelloruse, nën ombrellën e Rusisë. Por, atë ombrellë e prishën bombat e NATO-s. Duke i pasur të qarta këto prirje retrograde të politikës serbe, Rusia po përpiqet ta shfrytëzojë Serbinë në pretendimet e saj të presionit mbi Perëndimin. Shikuar në këtë kontekst, Kosova është guri i fundit i dominosë, e cila e nxjerrë përfundimisht nga loja prezencën e Rusisë në Ballkan.
Kësisoj, roli i Kosovës në lojërat gjeopolitike ende është i ndjeshëm. Pavarësia e Kosovës, ka ardhë si rezultat i epërsisë së fituar gjeopolitike të Perëndimit ndaj Rusisë dhe ndaj Serbisë. Politika në Kosovë duhet të mbetet brenda kësaj kornize gjeopolitike e të mos dalë nga shinat e gjeopolitikës së Perëndimit. Nëse del, rrezikon të kthehet nën influencën pansllaviste.

Të ngjashme