LDK-ja e PDK-ja ia pamundësojnë ekzekutivit të Podujevës miratimin e vendimeve

Podujeve | 30 Dhj 2020 | 17:32 | Nga Ekonomia Online

Këshilltarët opozitarë të LDK-së e PDK-së ia kanë pamundësuar qeverisjes së re të Vetëvendosjes në Podujevë miratimin e dy pikave të rendit të ditës.

Edhe pse ekzekutivi i ri e kishte paraparë që sillte para këshilltarëve informatën lidhur me gjendjen financiare të Komunës së Podujevës për vitin fiskal 2020 dhe miratimin e propozim-vendimit të listës së veçantë të pronave të paluajtshme që planifikohen për dhënie në shfrytëzim gjatë vitit 2021, asnjëra nuk ka arritur të kalojë. Pika e parë nuk ishte miratuar as në Komitetin për Politikë dhe Financa. Shefi i deritashëm i Grupit të këshilltarëve të LVV-së, Vendenis Lahu, ka kërkuar nga këshilltarët që të futet si pikë e rendit të ditës kjo informatë, pasi ka thënë se përgjatë këtyre viteve si Kuvend janë përballur me mungesë të shumë informatave. Por, kryesuesi i Kuvendit, Fatmir Gashi, që vjen nga radhët e LDK-së, ka thënë se meqë ka ardhur me vonesë, kjo pikë nuk është rekomanduar as nga KPF-ja. Kundër ka dalë edhe PDK. Këshilltari i saj, Rafet Lapashtica, e ka dhënë të njëjtën arsye.

“Sa i përket PDK-së edhe në të kaluarën kemi kërkuar që materiali të na vijë me kohë. Grupi i PDK-së nuk e voton këtë pikë”, ka thënë ai.

Ndërkohë, këshilltari Lahu, ka thënë se materiali nuk ka mundur të sillet më herët, pasi është pritur derisa të përfundojë afati i pagesave në mënyrë që informata të jetë e plotë.

Por, kryesuesi i Kuvendit nuk e ka hedhur fare në votim propozimin e Vetëvendosjes, por vetëm rendin e ditës siç ishte miratuar në Komitetin për Politikë dhe Financa.

Dy partitë opozitare nuk e kanë votuar as listën e veçantë të pronave të paluajtshme të Komunës që planifikohen për dhënie në shfrytëzim gjatë vitit 2021. Shefi i Grupit të këshilltarëve të LDK-së, Hasan Ajeti, ka thënë se materiali për këtë pikë nuk është i plotë.

“Shumica e këtyre pronave janë kullosa e ara. Gjatë gjithë kohës keni kërkuar sjelljen e listës së pronave komunale, por nuk e keni sjellë. Drejtorin (për Pronë, Kadastër dhe Gjeodezi v.j.) të cilin ende nuk e keni emëruar do të jetë palë në procedurë në rastin e kryetarit Bulliqi si uzurpues i pronës publike. Ofrone listën e të gjitha pronave siç keni kërkuar deri dje dhe për të cilat prona keni thënë se ka të uzurpuara.

Në anën tjetër, këshilltari i LVV-së, Bajram Ajeti, ka theksuar se në pajtim me Ligjin për vetëqeverisje lokale, kryetari Shpejtim Bulliqi e ka sjellë këtë listë të pronave për miratim. Sipas tij, bashkë me këtë listë janë edhe të gjitha të dhënat kadastrale, qëllimi dhe aspekti ekonomik.

“Paragjykimet jashtë kësaj fushe, mendoj se janë të panevojshme”, ka thënë ai.

Ndërsa, Rafet Llapashtica, ka thënë nëse drejtori jep sqarime se ato prona janë të lira, nuk kanë borxhe dhe nuk kanë qenë në shfrytëzim, atëherë PDK e voton. Përndryshe ka thënë se abstenojnë.

Në foltore ka dalë edhe drejtori për Arsim, Avni Fetahu, i cili ka thënës e në procesverbalin e seancës së dhjetorit të vitit të kaluar është miratuar njëzëri e njëjta listë e pronave nga të gjitha partitë, përfshirë edhe LVV e PDK që ishin opozitë.

Në fund të debatit, as kjo pikë nuk është miratuar, pasi nuk kanë mjaftuar vetëm votat e LVV-së dhe të AAK-së. (Koha)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme