LDK: Kundërshtimi i PDK-së për Specialen në Strasbourg dëmton Kosovën

Prishtinë | 22 Jan 2018 | 14:31 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) i ka quajtur absurde deklaratat e Memli Krasniqit se LDK ka bashkëpunuar me Listën Serbe për të përkrahur Gjykatën Speciale në takimin në Parlamentin Evropian.

Vjosa Osmani nga LDK-ja, në një konferencë për medie, tha se qëndrimi i LDK-së është i ditur për Specialen dhe se nuk kanë asgjë për të shtuar.

Ajo tha se kundërshtimi i PDK-së ka qenë i panevojshëm dhe ka ndikuar në prishjen e marrëdhënieve të Kosovës me Parlamentin Evropian.

Ditë më parë në Strasburg ka qëndruar një delegacion nga Kuvendi i Kosovës. Ndër temat bosht të takimit ishte edhe nisma për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara me ç‘rast deputetët e LDK-së rikonfirmuan qëndrimin se LDK do të vazhdojë të kundërshtojë çdo ide që ka për qëllim dëmtimin e sovranitetit të vendit dhe të partneritetit me shtetet mike.

Në këtë takim dështoi miratimi i konkluzioneve të përbashkëta në mes Parlamentit Evropian dhe Kuvendit të Kosovës. Kjo për shkak të kundërshtimit nga ana e deputetëve të koalicionit qeverisës të një paragrafi i cili u bënte thirrje liderëve politikë në Kosovë që të vazhdojnë të përkrahin funksionimin e Gjykatës Speciale në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Osmani tha se LDK do të vazhdojë të kundërshtoj çfarëdo iniciative që ndikon negativisht në marrëdhëniet me ndërkombëtarët.

“Qasja e LDK ka qenë ajo që e kemi mbajt edhe më herët nuk ka ndryshuar asgjë. Problemi më i madh është dëmtimi që është bërë në parlamentin evropian. Është një akt shumë i keq në raportet tona me bashkimin evropian dhe na vjen keq që PDK po merr hapa të tillë e po vazhdon. LDK do të kundërshtoj qëndrime të tilla që kanë për qëllim prishjen e raportit me ndërkombëtarët”.

“Kemi bërë një kërkesë për debat për këtë çështje sepse e konsiderojmë se është e nevojshme që qytetarët të dinë për këtë dëmet që janë bërë në parlamentin evropian”.

“Deklarata e zotëri Krasniqi është absurde sepse vet ata janë në koalicion me Listën Serbe jo vetëm që janë në koalicion me ta por të gjithë varen nga Lista Serbe. LDK nuk bashkëpunon me Listën Serbe sepse nuk ka nevojë për qëndrimet e veta shtet formuese e aq më pak të flas me Vuçiqin ashtu siç bën PDK”.

Vjosa Osmani e cila njëherësh edhe kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme, tha po ashtu se nuk e di pse Veseli nuk e ka marrë rekomandimin që demarkacioni të shqyrtohet në Kuvend.

“Komisioni për Punë të Jashtëm ka mbajtur takimin me 15 janar ditën kur ka filluar sesioni i ri i Kuvendit. Kemi qenë brenda afatit ligjor. Kemi vendosur që të procedojmë në kryesi me rekomandimin e vetëm që të shqyrtohet në seancë. Unë e kam nënshkruar menjëherë atë ditë shkresën ajo ka shkuar në përkthim dhe menjëherë më 16 janar ka shkuar në kryesi. Unë nuk e di pse Veseli nuk e ka parë”.

Ndërsa kryetari i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti komentoi procedimin e ligjit për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Ai tha se kjo iniciativë është e dëmshme për Kosovën.

“Kemi ftuar këtë konferencë për tri çështje e para ligji për dhomat e specializuara ka hyrë në procedurat e rregullta. Ritheksoj se kjo është vërë edhe me përkrahjen e Listës Serbe një vendim i dëmshëm për shtetin e Kosovës është e pabesueshme që pas gjithë kësaj përpjekje për të vetëdijesuar për këtë punë është vazhduar prape. Nuk ka shpjegim tjetër përveç se është në interesin e armiqve që ta izolojmë Kosovën dhe të humbim miqësinë me miqtë”.

Hoti tha se do të vazhdojnë të kundërshtojnë këtë iniciativë mirëpo shtoi se do të përdorin metoda demokratike e jo gaz lotsjellës.

“Ne jemi parti demokratike ju sigurojmë që nuk do të hedhim gaz lotsjellës sepse është vepër penale do të përdorim të gjitha mjetet për të penguar këtë iniciativë. Pasojat e kësaj nisme i kanë të qarta të gjithë ata që e kanë bërë këtë. Në ditët në vijim do ti shihni veprimet tona për këtë iniciative. Me këtë iniciative provojnë që t`i ikim drejtësinë ndërkombëtare ne duhet te përkrahim e jo të ikim”.

Kurse Driton Selmanaj në këtë konferencë bëri thirrje për ndërprerjen e iniciativës për projektligjin për amnistim. Ai tha se qëllimi i këtij projektligji është që të lirohen ata që kryejnë vepër penale.

“Kjo është iniciativë e dëmshme sepse bart mesazh të keq te të gjithë qytetarët. Kjo është një kundërshtim me vet aspiratën e vendit tonë për një shtet ligjor. Ne bëjmë thirrje që kjo iniciativë të ndërpritet”.

Të ngjashme