Liridon Uruqit i vërtetohet dënimi prej 18 vjet e 6 muaj burgim

Prishtinë | 24 Shk 2020 | 16:10 | Nga Ekonomia Online

Gjykata e Apelit,  i ka refuzuar ankesat në rastin e të akuzuarit L.U.  Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Gjilan i datë 30.12.2019, është vërtetuar.

Sipas  këtij aktgjykimi Liridon Uuruqi.  është dënuar më dënim unik prej  18 vjet e 6 muj burgim, pasi që është shpallur fajtor për veprat penale “Vrasje” nga neni 178 paragrafi 1  i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe “Kanosje”  nga neni 185 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 2 e 1 të KPRK-së, të po këtij kodi.

Gjykata e Apelit gjeti se aktgjykimi i ankimuar nuk është përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Po ashtu vlerëson  se dënimi i shqiptuar ndaj të akuzuarit nga ana e gjykatës së shkallës së parë,  është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprës penale dhe shkallës së përgjegjësisë penale të akuzuarit si ekzekutor, dhe se me këtë dënim do të arrihet qëllimi i përcaktuar më ligj.

Ndryshe, sipas aktakuzës, më 28 korrik 2018, në fshatin Bresalc-Komuna e Gjilanit, i akuzuari Liridon Uruqi, me veprim të drejtpërdrejtë dhe me dashje ka privuar nga jeta, të ndjerin Fatlind Arifi, në atë mënyrë që me revole ka gjuajtur në drejtim të tij, të cilin e godet në anën e majtë të kraharorit, me ç’rast nga plagët e marra i njëjti nuk ka mbijetuar dhe ka ndërruar jetë teksa po e dërgonin për në spital.

Të ngjashme