Macron dhe Le Pen në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Francë

Prishtinë | 24 Pri 2017 | 09:14 | Nga

Kandidati i qendrës Emmanuel Macron dhe udhëheqësja e së djathtës ekstreme Marine Le Pen janë fitues të rrethit të parë të zgjedhjeve presidenciale në Francë.

Ministria e Brendshme e Francës tha se nga 78 për qind të votave të numëruara, kandidati i qendrës udhëheqë ndaj Marine Le Pen.

Emmanuel Macron ka marrë votat në qytetet e mëdha të Francës dhe sipas shënimeve të ministrisë së brendshme ai ka 23.23 për qind, Marine Le Pen është e dyta me 22.83 për qind.

Francois Fillon ka marrë 19.75 për qind dhe Melenchon 18.92 për qind.

Më heret, rezultatet e projektuara, nxorrën Macron me 23.7 për qind ndërkohë zonjën Le Pen me 21.7 për qind të votave, ka bërë të ditur Televizioni Francez.

Të dy kandidatët janë sfiduar nga François Fillon i qendrës së djathtë dhe ai i të majtës ekstreme Jean-Luc Mélenchon, thonë projeksionet, transmeton BBC.

Macron dhe Le Pen do të përballen në balotazh më 7 Maj.​

Cilido që të fitojë në rrethin tjetër, votimet do të shënojnë një ndryshim nga partitë e majta dhe ato të qendrës së djathtë që kanë dominuar për një kohë të gjatë politikën franceze, thotë BBC.

Pjesëmarrja në zgjedhje në nivel kombëtar duket të jetë e ngjashme me atë të zgjedhjeve të vitit 2012.

Në Paris ndërkaq ka patur përleshje ndërmjet demonstruesve dhe policisë pas njoftimeve se Marine Le Pen ka kaluar në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, dhe policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Forcat e policisë kanë rrethuar pjesën e qytetit ku ndodhën demonstratat, dhe policia tha se bëhet fjalë për të rinj në mesin e të cilëve ka edhe anarkistë dhe ‘antifashistë’.

Protestat e majtistëve kanë përfshirë edhe pjesën qendore dhe perëndimore të Francës.

Macron tha sonte se do që të bëhet president i patriotëve që përballen me kërcënimin e nacionalistëve.

“Duam të ndërtojmë një Francë të fuqishme në kuadër të BE-së”.

Marine Le Pen ndërkaq tha se bëhet fjalë për “mbijetesën e Francës” duke u bërë thirrje të gjithë ‘patriotëve’ që ta mbështesin si kandidaten e popullit.

Presidenti i Francës, François Hollande, me mbylljen e vendvotimeve dhe pas rezultatit të projektuar, ka biseduar me telefon me Emmanuel Macron për ta uruar për kalimin në rrethin e dytë.

Kandidati i qendrës së djathtë që ka humbur në rrethin e parë, François Fillon, ka shkruar në rrjetin e tij social se e mbështet Macron në rrethin e dytë.

Edhe ish kryeministri francez, Manuel Valls, i Partisë Socialiste thotë se e mbështet Emmanuel Macron në rrethin e dytë.

“Sikurse edhe në rrethin e parë unë do të votojë Macron… për Francën”, ka shkruar në Twitter Valls.

Të ngjashme