Mbahet akademi përkujtimore për Ditën e Dëshmorëve në Vushtrri, Idrizi: Ish-krerët e UÇK-së po luftojnë me padrejtësinë

Vushtrri | 01 Sht 2023 | 13:09 | Nga Hana Lohaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Nën patronatin e kryetarit të Vushtrrisë, Ferit Idrizi, të premten është mbajtur akademi përkujtimore për dëshmorët e rënë të kombit të brigadës 142 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Idrizi tha se në këtë ditë të veçantë përkujtimi, respekti e përuljeje, u takon dëshmorëve të kombit.

Idrizi nuk la pa përmendur ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, për të cilën tha se po luftojnë me padrejtësinë.

“Sot është një ditë e madhe, një ditë e veçantë, ditë përkujtimi, respekti, përuljeje, ata sfiduan gjithçka duke e shpërngulur armikun, por tani që unë po flas këtu i kemi edhe shokët e dëshmorëve, komandantët e luftës, por në mesin e shokëve tuaj dhe tonëve sot ndodhen prapa grilave Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, të cilët nuk po luftojnë me drejtësinë por padrejtësinë. Edhe unë isha pjesë e luftës, një ushtar i thjeshtë, por atëherë ditët të organizonit rreshtat e gjatë për të shkuar e marrë armë në Shqipëri. Nuk jemi në pozitën më të favorshme, unë e kam besimin më të fuqishëm tek populli”, u shpreh Idrizi.

Kryetari i shoqatës së familjarëve të dëshmorëve të Vushtrrisë, Gëzim Zveçaku tha se e vlerëson njëjtë si kryetari ish-udhëheqësit e UCK-së që po mbahen padrejtësisht në Hagë.

“Sot përulem me respekt e krenari para të gjithë dëshmorëve ranë për kombin tonë. Prijësit tanë, udhëheqësit tanë mbahen padrejtësisht në Hagë prapa grilave. Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit, lavdi të gjithë të rënëve për liri”, tha Zveçaku, përcjell EO.

Akademia përkujtimore u përcjell pas këtyre dy fjalimeve me këngë, poezi e recitale.

Të ngjashme