Mianmar: Shefit të ushtrisë i kërkohet ta ndalë dhunën ndaj civilëve

Prishtinë | 24 Pri 2021 | 17:36 | Nga Ekonomia Online

Udhëheqësit e Azisë Juglindore i kanë kërkuar kreut të ushtrisë në Mianmar, i cili mori pushtetin në shkurt, për t’i dhënë fund shtypjes në vend.

Në udhëtimin e tij të parë që nga marrja e pushtetit gjenerali Min Aung Hlaing, u përball me kërkesa nga liderët e shteteve tjera për t’i ndaluar vrasjet që janë duke u bërë ndaj protestuesve si dhe u kërkua që të lirohen të burgosurit politikë.

Më shumë se 700 njerëz janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë arrestuar nga grushtshteti.

Hlaing ishte në Indonezi ku u bisedua për krizën në Mianmar, ministrat e jashtëm të dhjetë vendeve të Azisë Juglindore dolën me një deklaratë të përbashkët, pasi u arrit një konsensus për pesë pika.

Ky konsensus përfshin kërkesën për ta ndaluar menjëherë dhunën që është duke ndodhur ndaj qytetarëve, si dhe të fillojnë bisedimet me civilët për të gjetur një zgjidhje të përbashkët. Të gjitha këto do të monitorohen nga i dërguar special i Asenit, i cili do ta vizitojë Mianmarin me një delegacion të tij. Po ashtu do të ofrohen edhe shumë ndihma humanitare për qytetarët.

Deklarata u mirëprit nga Qeveria e Unitetit Kombëtar (NUG) e sapo formuar në Mianmar, e cila përbëhet nga një grup i kundërshtarëve të grushtshtetit .

Pas takimit, i cili u mbajt në kryeqytetin indonezian Xhakarta, Kryeministri i Singaporit Lee Hsien Loong tha se gjenerali i

Mianmarit nuk ishte kundër vizitës së delegacionit dhe ndihmave humanitare, duke shtuar se ai i kishte dëgjuar të gjitha kërkesat e tyre dhe se i ka konsideruar të dobishme.

Një numër i protestuesve ishin mbledhur jashtë objektit ku mbahej samiti, duke mbajtur tenxhere dhe tigan si dhe parullat “Riktheni demokracinë” dhe “Ne qëndrojmë kundër grushtshtetit ushtarak”.

Protesta u mbajtën edhe në qytetet kryesore të Mianmarit, por nuk pati raportime të dhunës, shkruan BBC.

Të ngjashme