Mungon anëtari i kolegjit të Apelit, shtyhet seanca ndaj ish-ministrit Rikallo dhe të tjerëve

Prishtinë | 26 Shk 2024 | 12:20 | Nga Ekonomia Online

Për shkak të mungesës së anëtarit të kolegjit, Vaton Dërguti, ka dështuar të mbahet seanca në Gjykatën e Apelit, në rastin ku ish-ministri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Nenad Rikalo, sekretari i përgjithshëm i kësaj ministrie, Kapllan Halimi dhe gjashtë zyrtarët tjerë, Shefki Zeqiri, Ekrem Gjoka, Shkelzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi dhe Albana Zeqiri, po akuzohen për korrupsion.

Për mungesën e gjyktësit Dërguti, kryetarja e kolegjit, gjyktësja Afërdita Bytyqi ka njoftuar se gjyqtari Vaton Dërguti për shkak të angazhimeve familjare nuk është prezent në sallë, andaj si pasojë e mungesës së tij e njëjta konstatoi se nuk ka kushte për mbajtjen e kësaj seance, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, me 1 qershor 2023, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte bërë shpalljen e aktgjykimit, ku ish-ministri Rikallo ishte dënuar me 3 vjet burgim, Kapllan Halimi me 2 vjet e 6 muaj burgim kurse gjashtë zyrtarët tjerë, Shefki Zeqiri, Ekrem Gjoka, Shkelzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi dhe Albana Zeqiri, të cilët u liruan nga akuza.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 26 dhjetor 2019, të pandehurit Nenad Rikalo, Kapllan Halimi, Shefki Zeqiri dhe Ekrem Gjoka, në bashkëveprim, gjatë vitit 2018, me qëllim që t’iu mundësojnë përfitim në mënyrë të kundërligjshëm kompanive si: konzorciumit “Novus” SH.P.K, për fitimin e grantit “Ndërtimi i tregut modern për prodhime bujqësore” në Prishtinë, konzorciumit “Dhemetra” SH.P.K për fitimin e grantit “Ndërtimi i fabrikës për prodhimin e plehut organit” (duke mos qenë fare në listën e projekteve të cilat mbulohen me financim përmes granteve), koncorziumit “DOO Zubin Potok” për fitimin e grantit “Projekti për ndërtimin e investimeve në objektin për magazinimin dhe ruajtjen e frutave”, si dhe konzorciumit NTP “Arena Engineering” në Pejë, për fitimin e grantit “Prodhimi dhe përpunimi i mishit” në Pejë, me qëllim kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin 04/L-090 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 03/L-098 për Bujqësi dhe Zhvillim Rural neni 5.1, neni 8, neni 13 paragrafi 1.2, neni 4, neni 14.2 Ligji 03/L098 për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, neni 8 dhe 9, rregullores ( QRK) nr. 37/2013, neni 7.1, paragrafi 1.1, Udhëzuesi dhe Doracaku për hartimin e konceptit të dokumenteve nga Zyra e Kryeministrit. Aktakuzën e plotë mund ta lexoni duke klikuar KËTU. 

Të ngjashme