Mungon prokurorja, dështon rigjykimi ndaj ish-kryeshefit të IPK-së dhe dy drejtorëve të tjerë për privim të kundërligjshëm të lirisë

Prishtinë | 25 Mar 2021 | 19:11 | Nga Ekonomia Online

Mungesa e prokurores Hava Krasniqi ka bërë që të dështojë rigjykimi ndaj ish-kryeshefit të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), Fitim Shishani, ish-drejtoreshës për Hetime Speciale, Valbona Osmani si dhe ish-drejtorit të Departamentit për Hetime, në këtë institucion, Jetullah Aliu.

Ata akuzohen se kishin privuar në mënyrë të kundërligjshme nga liria të dëmtuarin Q.V, për të cilin kishin marrë informacionin se kishte qenë në një motel së bashku me një femër për të cilën ishte dyshuar se ka qenë e mitur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, ka njoftuar palët se prokuroja Krasniqi paraprakisht e kishte njoftuar gjykatën se nuk mund të prezantoj në seancë për shkaqe shëndetësore.

“Mungon prokurorja e shtetit Hava Krasniqi e cila edhe pse e njoftuar për mbajtjen e shqyrtimit të sotëm gjyqësor nuk e ka bërë zëvendësimin e saj për këtë përfaqësim në këtë çështje por ka njoftuar gjykatën sot, se nuk mund të prezantoj për arsye shëndetësore”, tha ajo.

Për këtë seancë ishte paraparë të dëgjoheshin në cilësinë e dëshmitarëve, Burim Raqi, Bardhyl Haxhimustafa, Arben Paqarizi dhe Besnik Haziraj, ku ky i fundit nuk ka prezantuar në seancë.

Meqenëse nuk kishte kushte për tu mbajtur kjo seancë, gjykatësja Krasniqi-Jashanica e ka shtyrë atë për 30 mars në orën 9:30.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 4 nëntor 2019, i kishte liruar nga akuza, Fitim Shishanin, Valbona Osmanin dhe Jetullah Aliun me arsyetimin se nuk ishte provuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale që u vihej në barrë.

Mirëpo, pas ankesës së prokurorisë, Gjykata e Apelit më 27 prill 2020 e ka anuluar aktgjykimin e Themelores dhe lëndën e ka kthyer në rigjykim dhe rivendosje.

Sipas aktakuzës së përpiluar me 20 korrik 2017, të akuzuarit Shishani, Aliu dhe Osmani me 19 korrik 2013, prej orës 19:00 e deri me 20 korrik 2013, në orën 02:30, fillimisht në Ferizaj e pastaj në Prishtinë, me urdhër të të akuzuarit Shishani, e kishin privuar në mënyrë të kundërligjshme nga liria të dëmtuarin Q.V, edhe përkundër faktit se prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Ferizaj kishte urdhëruar lirimin e tij nga arresti.

Në aktakuzë thuhet me 19 korrik 2013, të akuzuarit Aliu dhe Osmani me urdhër të të akuzuarit Shishani, kishin bërë fotografim dhe incizim të paautorizuar ndaj të dëmtuarit gjatë ndejës së tij, në vilën “Fati”, në Ferizaj, me një person, në kohën kur ai kishte dalë nga moteli.

Për këto veprime, tre të akuzuarit në bashkëkryerje, akuzoheshin se kanë kryer veprat penale “privim i kundërligjshëm i lirisë” dhe “fotografim dhe incizimet tjera të paautorizuara”.

Të ngjashme