Në Australi fillon testimi në njerëz i vaksinës kundër Covid-19

Prishtinë | 26 Maj 2020 | 10:21 | Nga Ekonomia Online

Të martën në Australi fillon testimi në njerëz i vaksinës kundër koronavirusit. Në këtë proces do të marrin pjesë 130 vullnetarë.

Testimi i sotëm shënon testimin e parë në njerëz të një vaksine kundër virusit të ri në Hemisferën Jugore dhe do të zhvillohet në spitalin Alfred të qytetit Melbourne.

Vaksina e emërtuar NVX-CoV2373 është prodhuar nga kompania amerikane “Novavax” dhe do të provohet në vullnetarë të shëndoshë të moshës nga 18 deri në 59-vjeçare, shkruan “Daily Mail”.

Kjo vaksinë stimulon nivel më të lartë të antitrupave neutralizues dhe e ka për qëllim forcimin e reagimit të sistemit imunitar të trupit.

Organizata hulumtuese klinike “Nucleus Network” do t’i kryejë fazat e para të testimit dhe më pas do ta zgjerojë procesin në klinika në Brisbane brenda një jave.

Njëri nga hulumtuesit që do ta mbikëqyrë këtë proces, Dr. Paul Griffin, tha: “Vullnetarët e shëndoshë do ta marrin vaksinën për herë të parë dhe kjo ka të bëjë më së shumti me sigurinë. Pra, ne do t’i monitorojmë ata gjatë tërë kohës.”

Përpos sigurisë, ky testim do të japë shenja për hulumtuesit edhe në lidhje me efikasitetin e saj. Pritet që rezultatet e para të testimit të publikohen në korrik dhe ato do të mund ta hapnin rrugën për fazën e dytë të testimit për t’i vlerësuar efektet e vaksinës te personat e infektuar me Covid-19.

Të ngjashme