Në Teksasin e goditur nga stuhia e borës, dy pronarë shqiptarë të një restoranti ofrojnë ushqim falas

Prishtinë | 21 Shk 2021 | 12:10 | Nga Ekonomia Online

Pronarët shqiptarë të restorantit “Bella Italian” në Plano të Teksasit, Ari Isufaj dhe Blinera Shurreca, nuk kanë mundur të durojnë se si komuniteti i tyre po vuan nga stuhia e borës, dhe kanë vendosur të gatuajnë vakte të nxehta për më tepër se 500 persona, raporton “Foxnews”.

Isufaj ka thënë të shtunën se konsumatorët besnikë e kanë mbajtur restorantin e tij gjallë gjatë pandemisë, dhe dëshiron ta kthejë favorin.

“Ne kemi nisur të lidhemi më tepër me komunitetin tonë kur goditi COVID-i. Ata vërtetë na kanë përkrahur për në një nivel tjetër”, ka thënë Isufaj për “Fox & Friends Weekend”.

Kur i ftohti rekord goditi Planon, duke lënë pjesën më të madhe të vendit pa energji elektrike, Isufaj dhe Shurreca dëshironin të përkujdeseshin që banorët të kenë së paku ushqim të nxehtë.

Ata nuk kishin energji elektrike në shtëpi, kështu që shkuan në restorant për të gatuar për vete dhe vendosën të bënin të njëjtën gjë “për gjithë tjerët”, thotë Isufaj.

Shurreca ka përgëzuar përkrahjen e jashtëzakonshme dhe donacionet nga shteti për komunitetet në Teksas që janë goditur nga stuhia e borës.

Të ngjashme