Norvegjia hyn në “krizën e salmonit”

Prishtinë | 22 Jan 2023 | 13:32 | Nga Ekonomia Online

Çmimi i salmonit mund të rritet në muajt në vijim, për shkak të një takse të re të miratuar nga qeveria norvegjeze shtatorin e kaluar dhe që pritet të hyjë në fuqi këtë vit. Një taksë që prek prodhuesit e këtij ushqimi në vendin nordik dhe sigurisht, konsumatorin.

Siç ndodh tashmë me industrinë e naftës, ideja e qeverisë norvegjeze është të aplikojë një taksë të lartë për përdorimin e burimeve natyrore. Nga paratë që mund të mblidhen (3 miliardë euro), ideja është që gjysma të shkojë për komunat.

Vendimi, i cili ende nuk ka ardhur, pritet të prekë 62% të industrisë. Përballë kësaj situate, dy kompanitë e mëdha të sektorit, Moëi dhe SalMar, kanë pësuar humbje të konsiderueshme në bursën norvegjeze: e para 14% në vitin e fundit dhe e dyta 30%.

“Është një taksë për kompanitë e akuakulturës, kompanitë që krijojnë vlera dhe vende pune në bregdetin norvegjez,” tha drejtoresha ekzekutive e SalMar, Linda Aaase. Përveç kësaj, ajo paralajmëroi se kjo mund të çojë në një efekt domino negativ në të gjitha industritë e ndërlidhura.

Ndërkohë, konsumatori shikon se si mund të ndikojë në çmimin përfundimtar kjo taksë, qoftë nëpërmjet një çmimi më të lartë për të mbuluar koston e taksave, qoftë me një ulje të investimit, që do të ulë ofertën, duke rritur sërish çmimet.

Analistët nga kompania Barclays, e dedikuar për shërbimet financiare, deklarojnë se historikisht ka pasur gjithmonë një korrelacion midis rritjes më të ngadaltë të ofertës botërore dhe rritjes së çmimeve të salmonit. Megjithatë, ata konsiderojnë se “perspektiva për vitin 2023 është e turbullt nga fakti se kërkesa për salmon mund të dobësohet, pasi konsumatorët zgjedhin burime proteinash shumë më të lira, si mishi i pulës dhe derrit”.

Të ngjashme