“Paqe dhe stabilitet” – Udhëheqësit afrikanë mirëpresin marrëveshjen Rusi-Ukrainë për grurin

Prishtinë | 23 Kor 2022 | 11:10 | Nga Ekonomia Online

Udhëheqësit afrikanë kanë mirëpritur marrëveshjen e nënshkruar dje mes Ukrainës dhe Rusisë që do të zhbllokojë eksportet e grurit dhe misrit nga portet ukrainase.

Bashkimi Afrikan (AU) tha se marrëveshja ishte një “zhvillim i mirëpritur” për kontinentin të shtunën, duke shtuar se dërgesat e grurit nevojiteshin urgjentisht për të shmangur urinë.

Macky Sall, kryetar i organit kontinental të 55 shteteve anëtare, tha se marrëveshja ishte një “përgjigje” ndaj vizitës së Rusisë në qershor, ku zyrtarët e AU i theksuan Putinit “urgjencën e kthimit të drithërave nga Ukraina dhe Rusia në tregjet botërore”.

E ndërmjetësuar nga OKB-ja dhe Turqia, marrëveshja është e para që përfshin Moskën dhe Kievin që nga fillimi i konfliktit në shkurt. Kjo marrëveshje synon të ulë çmimet e drithit dhe të rivendosë eksportet në vendet që aktualisht janë të kapluara nga mungesa e ushqimit, shkruan Euronews, transmeton Klankosova.tv.

Marrëveshja do të bëjë të mundur eksportin midis 20 dhe 25 milionë tonë drithë të bllokuara në Ukrainë, nëse rezulton si marrëveshje e suksesshme.

Pushtimi rus i Ukrainës ka bërë që çmimet e grurit dhe naftës të rriten në qiell, me Ukrainën që përbën 10% të eksporteve globale të grurit në vitin 2021 dhe 40% të furnizimeve të grurit të Programit Botëror të Ushqimit.

Afrika dhe Lindja e Mesme janë goditur veçanërisht rëndë nga pasojat e konfliktit pasi ato janë shumë të varura nga këto vende për furnizimin e tyre me grurë.

Të ngjashme