Paralajmërohen protesta deri në shkarkimin e Lumezit e mbajtjen e zgjedhjeve

Prishtinë | 29 Gus 2018 | 19:53 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Javën e ardhshme do të protestohet sërish nga qytetarët. Kështu u paralajmërua nga organizatorët e protestës së mbajtur sot në të cilën është kërkuar shkarkimi i kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, fillimi i procesit të vettingut dhe pastrimi i listave të veteranëve.

Madje ky paralajmërim është votuar unanimisht nga të gjithë protestuesit në një Kuvend të krijuar gjatë protestës.

Kuvendi i ashtuquajtur “Kuvendi i Qytetarëve” bëri të ditur se protestat e tilla do të vazhdojnë deri në realizimin e kërkesave.

Këto deklarata u bën pasi protestuesit marshuan nga sheshi “Zahir Pajaziti”, për të vazhduar më tutje deri te zyra e Kryeprokurorit të shtetit si dhe për tu ndalur më pastaj para objektit të qeverisë.

Një ndër organizatorët, Shkëlzen Gashi në adresimin e tij para të pranishmëve, teksa paraqiti kërkesat e tyre, tha se përmes kësaj proteste iu bëhet e ditur politikaneve se nuk do të lejojnë “tua gërditin edhe më shumë vendin”.

Gashi tha se nuk duhet të kërkohet vetëm shkarkimi i Lumezit por edhe i të gjithë krerëve institucional dhe vendi të shkoj në zgjedhje të reja.

Madje ai kërkoi që prokuroria të ngrit aktakuzë edhe ndaj anëtarëve të komisionit vlerësues për veterane.

“Kërkesa jonë e parë është shkarkimi i kryeprokurorit për dy arsye: Lumezi është caktu nga politika, nga Prontoja si kryeprokuror dhe për shkak të ndërhyrjes së kryeprokurorit në rastin e prokurorit Blakaj duke i kërkuar llogari se pse ia ka intervistuar shefin. Kërkesa jonë e dytë është vettingu… si dhe pasurimi i listave prej veteranëve mashtrues”, tha Gashi.

“Na jemi mbledh edhe për me iu tregu këtyre politikanëve që nuk kemi me leju me na e gërdit edhe ma shumë vendin tonë. Na duhet me kërkuar jo vetëm shkarkim të kryeprokurorit Lumezi, Vetting dhe pastrim të listave por edhe dorëheqje të krerëve të institucioneve politike në Kosovë dhe zgjedhje të reja”.

Në anën tjetër, Igballe Rugova, ka përmendur të rastet e fundit në të cilët liderët shtetëror janë përfshirë në skandale.

Rugova ka thënë se sistemi i politikës është duke u përfshirë në sistemin e drejtësisë. Ajo ka paralajmëruar se nuk do të ndalen të protestojnë deri në realizimin e kërkesave të tyre.

Pjesë e protestës ishte edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi.

Ai në një prononcim për EkonomiaOnline, pas protestës ka bërë të ditur se do të vazhdojë të marrë pjesë në protesta të tilla.

Përkrahje për protestat e qytetarëve me kërkesa siç ka thënë ai të drejta do të ketë edhe Lëvizja Vetëvendosje.

I kënaqur me pjesëmarrjen e qytetarëve në protestë është shprehur edhe një nga organizatorët, Gramos Buçinca. Ai  në një prononcim për EO tha se në protestat e radhës presin numër edhe më të madh të qytetarëve.

Për të përkrahur kërkesën nga Ferizaji kishte ardhur edhe Shukri Retkoceri. Ai tha se merr pjesë vazhdimisht në protesta ndaj të gjitha padrejtësive që janë duke u bërë në vend.

Kjo protestë është mbajtur në vazhdën e protestave të organizuara nga shoqëria civile disa ditë pasi prokurori i Prokurorisë Speciale, Elez Blakaj, dha dorëheqje dhe akuzoi kryeprokurorin Lumezi për ndërhyrje në hetimet në rastin e listave të veteranëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Të ngjashme