Partitë politike pro Vettingut në Kosovë

Prishtinë | 13 Dhj 2018 | 11:48 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Koalicioni i OJQ-ve “Java Anti-Korrupsion”, ka zhvilluar diskutim publik me udhëheqësit e partive politike në Kosovë, me rastin e publikimit të raportit lidhur me nevojën e procesit të vettingut në Kosovë.

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i IKD-së, ka prezantuar të gjeturat nga raporti, gjatë të cilit ka numëruar arsyet e rëndësisë e të pasurit një proces vettingu në Kosovë.

“Arsyeja pse është zgjedhë vettingu është se shumica partive në aderimet e tyre publike kanë shprehur interesimin për të pas një proces verifikimi të sistemit të drejtësisë. Në tri vitet e fundit gjykata supreme në rastet e saj, kryesisht në veprat e korrupsionit ka gjetur se kemi një fenomen të ri në Kosovë, që është persekutimi i figurave, personaliteteve të caktuara. Pikë tjetër është se pse Kosova ka nevojë për vettingun, është besimi i publikut. Në bazë të hulumtimeve besimi i publikut të qytetarëve është më i ulëti që nga paslufta. Një shtet ku qytetarët nuk i besojnë organeve të drejtësisë, atëherë duhet politika të ndërmerr masa për të kthyer besimin”, ka thënë Miftaraj raporton Ekonomia Online.

AI tha se Kosova ka një sistem të drejtësisë që është i ndikuar politikisht, që është i kapur dhe që nuk është në gjendje ti ushtrojë përgjegjësitë në ndjekjen e personave.

“BE-ja dhe SHBA-ja kanë ofruar asistencë financiare që kalojnë qindra miliona euro për sistemin e drejtësisë në Kosovë. Përkundër ndihmës së tyre, sistemi i drejtësisë në Kosovë është ende në gjendjen fillestare.  Sa i përket efikasiteti, pothuajse kemi degradim, kemi një fushë ku shkelen në mënyrë sistematike të drejtat e qytetarëve të Kosovës”, th ai.

Alison Storsve, përfaqësuese e ambasadës amerikane, ka thënë se vettingu është mënyrë e mirë e llogaridhënies së institucioneve, kurse e ka quajtur përpjekjen për vetting nga Kosova, si hap të mirë për të shfaqur integritetin e zyrtarëve publik.

“Mendoj se Kosova do ta adoptojë një sistem të tillë në mënyrë konsistence dhe ta trajtojë secilin edhe sistemin politik. Kjo merr kohë. Është e arritshme, e keni kërkesë nga qytetarët”, tha ajo.

Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës,  ka thënë se si deputet janë të kufizuar për sa i përket prolongimit të rasteve të vendimeve të gjyqësorit. Ai është shprehur pro një procesi dhe një ligji për vettingun.

“Integriteti  i zyrtarëve të lartë është domosdoshmëri që të ketë qeverisje demokratike. Sistemi i drejtësisë nuk ka mëdyshje se ka nevojë për sistem të ri të integrimit dhe të ketë rikthim të emërimit të sistemit të drejtësisë.  A kemi nevojë të kërkojmë një ligj mbi vettingun, unë mendoj se po, në sistemin e drejtësisë, por edhe ndaj zyrtarëve të lartë ku përfshihen, presidenti, kryeministri, kryetarët e komunave. Kjo garanton kushte për qeverisje larg nga korrupsioni dhe ndalon zgjedhjen e zyrtarëve të lartë që janë të lidhur me korrupsionin”, ka thënë Zemaj.

Albulena Haxhiu, nga Vetëvendosje ka thënë se ata që janë të guximshëm duhet ta shohim vettingun si favor, ndërsa ka shtuar se pavarësisht se është paraparë me program qeverisës, nuk është ndërmarrë asgjë në këtë drejtim.

“Ne si Vetëvendosje e përkrahim vettingun në polici, prokurori, gjykata dhe duhet të theksoj dy dilema. E para se ne kemi një qeveri që nuk i ka larguar duart nga sistemi i drejtësisë, përkundrazi kjo vetëm po përkeqësohet. Paraprakisht kur kemi një rast të një zyrtari të lartë në prokurori, ne e dimë cili do të jetë vendimi.

Dilema e dytë është se me këtë qeveri, a mos mund që kjo qeveri ta keqpërdor procesin e vettingut, duke futur prapë duart në drejtësi. Një qeveri qe ka integritet, vullnet mund të sigurojë një proces vettingu, ata që e meritojnë do të mbeten në sistem ndërsa do ti nxjerrë personat qe janë të kapur dhe lidhur me mafian”, tha Haxhiu.

Muharrem Nitaj,  deputet i AAK-së, ka kritikuar raportin, duke thënë se nuk është e saktë që sistemi i drejtësisë është i kapur, pasi sipas tij ka vetëm segmente të caktuara të kapura.

“Mendoj se sistemi i drejtësisë ka probleme shumë të mëdha, nuk besoj se është korrekte që të sulmohet kaq ashpër. Nuk po besoj se i takon sistemit të drejtësisë vlerësimi se është i kapur. Fare shkurt ndoshta, ose sipas vlerësimit tim, përfundimi juaj se sistemi drejtësisë është i kapur, kujtoj se nuk i shërben shumë as një vendosmërie për shtjellimin e debatit. Mund të ketë momente të caktuara të sistemit të drejtësisë që është i kapur por si sistem nuk qëndron që është i kapur”, tha Nitaj.

Betim Musliu nga IKD-ja, tha se trajtimi i rasteve të profilit të lartë është tregues i qartë pse sistemi i drejtësisë është i kapur.

“Besoj se trajtimi rasteve të profilit të lartë është një prej indikatorëve që na tregon pse sistemi i drejtësisë është i kapur. Sot në burgjet e Kosovës ende nuk ekziston një zyrtar i lartë qe është i dënuar për vepra të korrupsionit”, tha Musliu.

E , aty prapë reagoi deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj.

“Nuk ka asnjë diskutim që nuk ka telashe në sistemin e drejtësisë, nuk ka mëdyshje se segmente mund të jenë të kapura por e kundërshtoj fuqishëm se sistemi i drejtësisë është i kapur. Besoj se jeni ngut tej mase”, tha Nitaj.

Të ngjashme