Pas rrethimit të Gazës, Netanyahu akuzon OKB-në se është e ngadaltë në ofrimin e ndihmës

Prishtinë | 23 Nën 2023 | 17:48 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, tha se punonjësit e ndihmës së OKB-së nuk kishin hyrë në “zonën e sigurt” të cilën Izraeli e caktoi për refugjatët palestinezë.

“Nuk kam parë ende përpjekjet që do të doja të shihja nga ana e OKB-së dhe agjencive ndërkombëtare”, deklaroi ai.

Kreu i qeverisë izraelite këto i tha gjatë një vizite në Izrael nga udhëheqësit spanjollë dhe belgë, raporton Al Jazeera, transmeton Klankosova.tv.

Izraeli ka rrethuar Gazën, duke lejuar vetëm një sasi shumë të kufizuar ndihme, ujë dhe karburant, duke shkaktuar kështu një gjendje që është përshkruar si një “fatkeqësi humanitare”.

Shteti izraelit u ka thënë palestinezëve në Gazën veriore që të shkojnë në jug për sigurinë e tyre, por ka bombarduar edhe atë pjesë, ku si pasojë u vranë mijëra njerëz.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka përshkruar si një “recetë për katastrofën” propozimin izraelit për një “zonë të sigurtë” në al-Mawasi, një zonë rreth 1 km e gjerë dhe 14 km e gjatë në bregun jugor të Gazës.

Të ngjashme