Për 10 muaj katër raste të vrasjeve në familje, u vranë pesë persona

Prishtinë | 25 Nën 2022 | 18:00 | Nga Ekonomia Online

Një lajm i rëndë tronditi vendin qysh në orët e mëngjesit. U regjistrua edhe një rast i ri i vrasjes ndaj një gruaje. Por, kësaj here vrasja ndodhi me sëpatë.

Sadije Godeni 63-vjeçare u vra nga bashkëshorti i saj që në orët e hershme të mëngjesit, shkruan Front Online.

E, raste të vrasjeve në familje janë regjistruar që nga fillimi i vitit.

Policia, e Kosovës në një përgjigje për Front Online ka bërë të ditur se nga janari e deri në tetor të këtij viti janë regjistruar katër raste, ku janë vrarë 5 persona.

Numri më i amdh i të vrarëve sipas statistikave të Policisë, po del të jenë meshkuj.

“Në periudhën janar-tetor kanë ndodhur 4 raste të vrasjes. Nga këto raste janë vrarë pesë persona, një femër dhe katër meshkuj”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Nga Policia, kanë treguar edhe shifrat e vrasjeve për vitin 2020 dhe 2021.

“Në vitin 2020 kanë ndodhë 13 raste të vrasjeve, ku nga to janë shënuar 20 viktima, 7 femra dhe 13 meshkuj. Kurse, në vitin 2021 janë regjistruar 7 raste të vrasjeve. Prej tyre 3 femra dhe 4 meshkuj”, thuhet më tutje në raport.

Në periudhën janar-tetor të këtij viti, po ashtu është regjistruar numër i lartë i rastave të dhunës në familje.

“Numri i rasteve të dhunës në familje për periudhën janar-tetor 2022 është 2273”,thuhet në përgjigjen e Policisë.

Për, raste të tilla nga Policia kanë thënë se i trajtojnë me seriozitetin e duhur.

“Ndër vite policia ka realizuar edhe fushata vetdijësuese për pasojat e dhunës në familje duke e potencuar në vazhdimësi se dhuna nuk ndalet pa u raportuar, pa u trajtuar nga organet kompetente. Rastet e dhunës në familje janë raste të ndjeshme, dhe qasja e policisë karshi rasteve të dhunës në familje është; si parandalimi për dhunën në njërën anë si dhe trajtimi i rasteve më seriozitet, ka bërë që raste e tilla të vijnë duke u raportuar më shpesh, ndër vite”, thuhet më tutje në përgjigjen e Policisë.

Për rastin e vrasjes së sotme në Prishtinë me detaje kanë edhe nga Prokuroria Themelore.

Nga kjo prokurori kanë bërë të ditur se me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar personi me inicialet I.G. (1952) për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”.

Prokuroria njofton se rreth orës 04:40, në Stacionin Policor Qendra është paraqitur personi i lartcekur, i cili dyshohet se ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën S.G. (1959), me një mjet të mprehtë (sëpatë), në shtëpinë e tyre, në rrugën “Mark Isaku” në Prishtinë.

“Prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, bashkë me njësitë relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes, me ç’ rast kanë ndërmarrë veprimet hetimore, si dhe në vendin e ngjarjes është sekuestruar sëpata me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale, ndërsa me urdhër të prokurorit është dërguar për obduksion trupi i pajetë.

Aktualisht, nga hetimet fillestare nuk dihet motivi i kryerjes së këtij akti, derisa Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të ushtrojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, si dhe në koordinim me policinë do të vazhdojë ndërmarrja e veprimeve hetimore për t’i sqaruar në plotëni rrethanat e këtij rasti”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme