Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka reaguar ashpër pas zhvillimeve në seancën e rregullt të Kuvendit Komunal, duke akuzuar Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) për uzurpim të institucionit dhe pengim me dhunë të punës së Kuvendit.
Përmes një reagimi publik, Hyseni tha se ajo që ndodhi në seancë nuk mund të konsiderohet opozitarizëm, por një përpjekje për të bllokuar funksionimin e institucionit.
Sipas tij, tërheqja me forcë e mikrofonit dhe mjeteve të punës, si dhe presioni i ushtruar ndaj kryesueses së Kuvendit Komunal, Krenare Latifi Kqiku, përbëjnë veprime të papranueshme që bien ndesh me standardet demokratike.
“Katër burra ushtrojnë presion ndaj një gruaje të vetme, Kryesueses së Kuvendit. Këto veprime nuk përfaqësojnë debat politik, por tentativë për ta zëvendësuar fjalën me forcën”, ka shkruar Hyseni.
Ai theksoi se qytetarët e Gjilanit nuk i kanë zgjedhur për të parë bllokada dhe dhunë, por për të marrë vendime dhe për t’u shërbyer interesave të tyre.
Në fund, kryetari i Gjilanit u shpreh se institucionet nuk do t’u dorëzohen, siç i quajti ai, “uzurpatorëve”, duke shtuar se puna për qytetarët do të vazhdojë me vendosmëri, në respekt të ligjit, demokracisë dhe dinjitetit të çdo përfaqësuesi të zgjedhur.