Poetja Luljeta Lleshanaku finaliste për çmimin “Griffin Poetry” në Kanada

Prishtinë | 25 Pri 2019 | 10:02 | Nga Ekonomia Online

Përmbledhja me poezi e titulluar “Negative Space” nga shkrimtarja Luljeta Lleshanaku dhe e përkthyer nga Ani Gjika, botuar në Angli dhe në SHBA gjatë vitit të kaluar është përzgjedhur si një nga katër librat finalistë për çmimin Ndërkombëtar “Griffin Poetry” në Kanada.

Më herët kjo përmbledhje poezish është vlerësuar me çmimin “PEN” dhe gjithashtu është përzgjedhur si një ndër finalistët për çmimin “PEN America 2019”.

Çmimi prestigjioz “Griffin” në Kanada është themeluar në vitin 2000 nga biznesmeni dhe filantropi, Scott Griffin.

Ky çmim jepet çdo vit në dy kategori për poezinë ndërkombëtare të shkruar apo të përkthyer në anglisht dhe për poezinë kanadeze. Emra të njohur të cilët e kanë fituar më herët këtë çmim janë: Anne Carson, John Ashberry, Charles Simic, Charles Wright, Paul Muldon, Heather McHugh, Paul Celan, etj.

Juria e çmimit Griffin është shprehur kështu për përmbledhjen me poezi “Negative Space”: “Sa më pak e njohur gjuha origjinale, aq më e vyer bëhet dhurata e përkthimit! Libri ‘Negative Space’ i Luljeta Lleshanakut sjell një vështrim të rrallë tek poezia shqiptare bashkëkohore. Rrjedhshëm e me saktësi te mprehtë, Ani Gjika e cila është edhe vetë poete, ka mundur të shprehë në anglisht jo vetëm poezitë e ‘Negative Space’ por dhe atmosferën e ngrysur e cila zotëron gjatë gjithë librit, një ndjesi e thellë përkohshmërie që është pasojë e së jetuarit nën presionin e ashpër politik. Negative Space është gjithkund pjellore. Duke hapur portën e traumës, ne ballafaqohemi me një zë të butë dhe inteligjent, me ngjarje që nxjerrin në dritë realitetin e një njerëzimi të përbashkët, duke i rikthyer dinjitetin këtij njerëzimi. Në një botë të përçarë nga terrori e dhuna, poezia e Lleshanakut është përherë trazuese, por dhe qetësuese për ne, banorët e saj”.

Shkrimtari dhe kritiku Micheal Hoffman ka realizuar një recension me titull “Mbi Luljeta Lleshanakun”, të botuar në “London Review of Books” në fillim të muajit prill ku shkruan: “Këto janë poezi të esencës dhe imagjinatës, në dukje të pavetëdijshme për lexuesin dhe kritikun dhe sigurisht që nuk luajnë me ta, të qarta dhe në pjesën më të madhe të natyrshme; ato e vendosin Lleshanakun afër poetëve të mëdhenj të Evropës Qendrore dhe Lindore të shekullit të 20-të: Akhmatova, Herbert, Holub, Szymborska, Zagajewski”.

Çmimi Griffin është një nga më të rëndësishmit në letërsi dhe arrin shumën prej 65 mijë dollarë kanadezë që ndahet midis përkthyesit dhe autorit, ndërkohë që secili nga finalistët shpërblehet me 10 mijë dollarë kanadezë, transmeton Opinion.al.

Përmbledhja “Negative Space” përfshin dy libra me poezi “Pothuajse dje” dhe “Homo Antarcticus”. Ndërkohë përkthyesja e këtij libri Ani Gjika, është vlerësuar edhe me grante nga “National Endowment for Arts” në SHBA për këtë përkthim.

Të ngjashme