Policia bastis katër lokacione për kontrabandim me mallra

Prishtinë | 26 Jan 2018 | 09:50 | Nga

Pas hetimeve disa mujore, Policia e Kosovës një ditë më parë ka ndërmarrë një operacion shumë të rëndësishëm i cili ka të bëjë me kontrabandim të mallrave.

Nga ky operacion u bastisën katër lokacione të ndryshme në rajonin e Prishtinës dhe u arrestuan dy shqiptarë me shtetësi maqedonase.

Në këtë operacion janë përfshirë komuna e Podujevës, Drenasit dhe Shtimes, janë kontrolluar katër argjendari dhe një veturë e dy të dyshuarve shtetas të Maqedonisë që dyshohen për kontrabandim me mallra me metale të çmuara ari dhe argjend dhe shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore, transmeton Gazeta Express.

Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar një veturë, një sasi e arit dhe argjendtit, dy pistoleta me dy karikatorë dhe 97 fishek, dy peshore për matjen e arit , tre telefona mobil si dhe dokumentacione të ndryshme që lidhen me rastin.

Të dyshuarit shqiptar me shtetësi maqedonase janë arrestuar dhe me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

Përveç kësaj, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, tha se policia si cdo ditë tjetër ka qenë e angazhuar në realizimin e detyrave.

“Policia e Kosovës si çdo ditë tjetër ka qenë e angazhuar në realizimin e detyrave të saj, njësitet policore kanë kryer detyra operacionale edhe në menaxhimin e trafikut rrugor dhe sa i përket aksidenteve ka pasur me të lënduar 13, 24 me dëme materiale dhe fatmirësisht nuk ka pasur me fatalitet. Policia e Kosovës ka shqiptuar 1143 gjoba për kundërvajtje të ndryshme, janë arrestuar 22 persona për vepra të ndryshme me ligjin në fuqi”, u shpreh Hoxha.

Hoxha më tej tregoi se gjatë 24 orëve të fundit, Policia ka arrestuar edhe një shqiptar shtetas të Malit të Zi, në Pejë për shkak të dhënies së ryshfetit.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull shqiptar shtetas i Malit të Zi, pasi që i njëjti u ka ofruar zyrtarëve policorë 10 euro, me qëllim që mos t’ia shqiptojnë gjobën për kundërvajtje në trafik. Me urdhër të prokurorit i dyshuari lirohet në procedurë të rregullt”, theksoi ai.

Policia e Kosovës këto ditë ka përfunduar edhe një operacion duke bastisur një klub striptizi në magjistralen Prishtinë-Feriazaj, ku dyshohej për veprimtari kriminale e llojit të prostitucionit dhe krim të organizua.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme