Policia e Kosovës sqaron ndalimin e kryetarit të Nishit, demanton se e rrahu

Prishtinë | 09 Sht 2018 | 23:05 | Nga

Policia e Kosovës nëpërmjet një njoftimi ka reaguar ndaj shkrimit të mediumit serb Kurir me titull “Kryetari i Nishit i lënduar rëndë në Kosovë, Policia e Kosovës, Bulatoviçit i ka thyer dorën e majtë”.

Policia informon dhe sqaron se bazuar në detyrat dhe autorizimet ligjore, në funksion të zbatimit të ligjit ndërmerr veprime operacionale në funksion të realizimit të objektivave të saj dhe se është e autorizuar sipas ligjit që konform situatës të zbatojë dhe aplikojë procedura standarde të operimit.

“Mbrëmë rreth orës 01:00 pas mesnate kryetari i Nishit në dalje të Republikës së Kosovës në pikëkalimin kufitar Merdare, ka tejkaluar kolonën në pritje. Zyrtarët policorë që kanë qenë në mbarëvajtje të rregullit të kolonës, të njëjtin e kanë ndal dhe ai ka refuzuar fillimisht të kthehet mbrapa. Pas kundërshtimit të sërishëm të tij për tu kthyer në kolonë, zyrtarët policorë kanë intervenuar dhe e kanë prangosur të njëjtin pa e ditur identitetin e tij”, thuhet në sqarimin e policisë.

“Sipas procedurave të parapara është njoftuar Prokurori i cili ka urdhëruar që i njëjti të dërgohet në gjykatë me procedurë të përshpejtuar. Atij i është shqiptuar dënimi prej 150 euro nga gjykata, ku i njëjti ka bërë pagesën dhe është liruar. Nuk është raportuar që i njëjti të ketë pasur ndonjë lëndim”.

Policia paralajmëron se do të të trajtojë dhe analizojë të gjitha veprimet e zyrtareve policorë, duke përfshirë edhe shqyrtimin e raporteve zyrtare.

Të ngjashme