Policia me plan operativ për mbarëvajtjen e protestës së nesërme të LV-së

Prishtinë | 28 Sht 2018 | 16:10 | Nga

Policia e Kosovës, thotë se me qëllim të informimit të opinionit publik lidhur me protestën e paralajmëruar për nesër nga Lëvizja Vetëvendosje, në Prishtinë, me kohë ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, duke hartuar planin operativ për menaxhimin e protestës, i cili ka për qëllim mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike, para, gjatë dhe pas protestës.

“Vlen të potencohet se Policia e Kosovës, përmes përfaqësuesve të saj ditë më parë ka realizuar një takim me organizatorët e kësaj proteste, për të diskutuar rreth mbarëvajtjes së qetë të kësaj proteste, e që është qëllim primar i Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e policisë, transmeton Koha.net.

PK-ja si institucion i zbatimit të ligjit, thotë se do të ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit të hartuar, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, për mbarëvajtjen e protestës si dhe për krijimin e mundësisë së lëvizjes së lirë të të gjithë qytetarëve, duke përfshirë masat në riorientim të trafikut rrugor.

“Policia e Kosovës mbështetur në të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime, në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi. Policia e Kosovës do të jetë profesionale, në respektimin dhe zbatimin e ligjit, çdo herë duke respektuar të drejtat e qytetarëve si dhe çdo herë duke treguar sjellje profesionale gjatë realizimit të detyrave policore”, thuhet në fund të njoftimit të PK-së.

Të ngjashme