Procesi gjyqësor për pronën në Hajvali: Moszgjidhja e trashëgimisë, pengesa kryesore për vazhdimin e rastit

Prishtinë | 24 Jan 2025 | 11:51 | Nga Gzim Mujaj

Për shkak të ndryshimit të statusit jetësor të disa të pandehurve, është shtyrë procesi gjyqësor i paraparë për t’u mbajtur sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për rastin e një kontesti të pronës në Hajvali, raporton Ekonomia Online.

Gjyqtarja Kosovare Musliu, ka thënë se gjykata nuk ka kushte për mbajtjen e seancës së sotme dhe bie aktvendim se seanca e sotme nuk do të mbahet, për shkak të ndryshmit të statusit jetësor për dy të paditur.

“Me qenë se janë dy të paditur që kanë vdekur edhe mu dorëzua certifikata e vdekjes sot në seancë. Gjykata konstaton se nuk ka kushte për mbajtjen e seancës së sotme”, ka thënë ajo.

Avokati i paditësit Florim Shefqeti, theksoi se megjithëse seanca u shty, shfaqet shpresë për vazhdimin e procedurës përmes trashëgimtareve të të paditurve të ndjerë.

Avokati Shefqeti gjithashtu theksoi se në rast të mos marrjes përsipër të procedurës nga trashëgimtaret, do të propozohet caktimi i përfaqësuesve të përkohshëm për të garantuar epilogun e kësaj çështje, e cila është në procedurë që nga viti 2002.

“Ajo që ishte pozitive me shpresën që do të vazhdoj së shpejti është që të dy të vdekurit kishin trashëgimtar të cilët kanë marr pjesë sot në seancë. Që nënkupton që gjykata sipas Ligjit për Procedura Legjitimore do t’i ftoj që ata të marrin përsipër procedurën. Edhe ne do të propozojmë që nëse trashëgimtaret e tyre nuk marrin përsipër procedurën t’iu caktohen përfaqësuese të përkohshëm në mënyrë që kjo çështje përfundimisht të merr epilog nga viti 2002 është në procedurë që paditshi nuk ka arritur ta shfrytëzoj pronën e tij legjitime që kishte blerë me kontrata të verifikuara në gjykatë, kishte paguar në tërësi çmimin, por që për shkaqe të tjera nuk ka arritur ta shfrytëzoj këtë pronë e që ne konsiderojmë që janë shkelur të drejtat themelore të njeriut”, tha Shefqeti.

Avokati i të paditurve, Avni Gjakova, tha se moszgjidhja e trashëgimisë është pengesa kryesore për vazhdimin e rastit.

Ai shtoi se ky kontest ka një historik të ndërlikuar që daton nga viti 1990 dhe është përkeqësuar nga vonesat dhe, siç ai pretendon, keqpërdorimet apo falsifikimet.

Ai shtoi se duke parë se si është duke shkuar ky proces kjo lëndë në këtë mënyrë nuk do të përfundoj edhe 50 vite.

“Seanca nuk mundi tw vazhdoj për shkak se dy të paditur kanë vdekur dhe pas vdekjes nuk e kanë shqyrtuar trashëgimin. Duhet domosdoshmërisht të shqyrtohet trashëgimia që të vazhdohet lënda me padi edhe për ata të dy. Lënda është e vjetër prej viti 1990, do të thotë i ka bërë nja 35 vite. Ka një historik shumë të komplikuat, të vështirësuar për shkak se sa duket se si pasoj është keqpërdor apo falsifikuat, sepse padinë në këtë lënda e ka nisur nëna e vetë, ajo ka vdekur dhe ne nuk e dimë nëse ai ka bërë trashëgimi për të mundur që të vazhdohet lënda. Mendimin tim si qytetar, por edhe si avokat e konsideroj që blerësi Aqif Ajeti ka gabuar që nuk ka hyrë në posedim në momentin që ka lidhur kontratën pranë gjykatës kompetente. Nuk mund të lidhesh kontratë për shit blerje të pronës së paluajtshme pa u futur në posedim. Kjo lëndë në këtë mënyrë nuk do të përfundoj edhe 50 vite. Si do të jetë zgjidhja varet nga palët”, tha Gjakova.

Prona milionëshe është blerë në vitin 2002 dhe pasi blerësi ka shkuar në diasporë, aty pastaj, sipas blerësit kanë filluar ndërtimet ilegale. Nga viti 2002, kjo tokë është në kontest pronësor mes një personi i cili posedon dokumentacion që ka blerë tokën dhe mbi 20 personave tjerë që gjithashtu pretendojnë se prona është e tyre.

Të ngjashme