Profesori dhe analisti serb: Kosova ka gjasa të mira të anëtarësohet në INTERPOL

Prishtinë | 18 Nën 2018 | 14:28 | Nga Ekonomia Online

Profesori serb nga Instituti për Studime Evropiane, Slobodan Zeçeviq, thotë se Kosova ka gjasa të mira të anëtarësohet në INTERPOL, duke shtuar se kjo mund t’i paraprijë edhe anëtarësimit të Kosovës në OKB.

“Të shumtën e rasteve pranimi në OKB është rezultat i hyrjes në organizatat e tjera ndërkombëtare, siç janë INTERPOL-i  dhe UNESCO-s”, tha Zeçeviq.

Ai, duke folur në RTS, si shembull ka marrë Palestinën, e cila nuk është pranuar në OKB si një shtet anëtar, por si vëzhgues, por duke u bazuar në këtë më vonë ka pasur argumente të pranohet në INTERPOL, pavarësisht kundërshtimit nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.

“Argumenti i dytë është vetë mënyra e pranimit në INTERPOL. Nevojitet një shumicë prej dy të tretave të votave, e atyre që votojnë atë ditë. Pra, nëse disa vende që kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës nuk do të hyjë në sallë dhe nuk do të votojnë, kjo është për ne një minus i madh”, shpjegoi Zeçeviq, përcjell Telegrafi.

Sipas tij, në këtë drejtim është i rëndësishëm lobimi dhe bisedimet me  vendet që nuk e njohin Kosovën që jenë të pranishme në seancë dhe të votojnë në përputhje me qëndrimin e tyre.

“Nëse keni parasysh se rreth janë 192 shtetet anëtare të OKB-së, ndoshta pak më shumë të INTERPOL-it, do të thotë 85 deri në 87 janë kundër njohjes së Kosovës, pra janë larg më shumë se dy të tretat”, vlerëson Zeçeviq.

Ai thotë se ka argumente politike për pranimin e Kosovës, për shkak se një pjesë e vendeve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës konsiderojnë se do të përmirësohej lufta kundër terrorizmit, trafikut të drogës dhe formave të tjera të krimit, nëse Kosova u pranohet në INTERPOL.

“Ata duan ta fusin Kosovën në INTERPOL, në mënyrë që të dëshmojnë se Kosova është një shtet normal si gjithë të tjerat. Kjo është çështja”, tha Zeçeviq.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme