Prokuroria ka prova për arrestimin edhe të dy të dyshuarve për vrasjen e Ivanoviqit

Prishtinë | 23 Nën 2018 | 11:09 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në konferencën e jashtëzakonshme për media, lidhur me angazhimet policore dhe arrestimet në veri të Mitrovicës, drejtori i Departamentit për Hetime, Riza Shillova bëri të ditur se janë arrestuar katër persona, tre prej të cilëve në lidhje me rastin e vrasjes së liderit të Iniciativës Qytetare “Serbia, Demokracia dhe Drejtësia”, Oliver Ivanoviqit, raporton Ekonomia Online.

Sipas Shillovës, njëri nga të dyshuarit nuk është gjetur në vendbanimin e tij, ndërsa tjetri ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrës.

“Sot në orët e mëngjesit, Policia e Kosovës  ka kryer një aksion të bastisjes në veri. Si rezultat i këtij operacioni janë arrestuar 4 persona, 3 prej tyre në lidhje me rastin e Oliver Ivanoviqit. Cak i këtij operacioni kanë qenë 4 të dyshuar. Një nga të dyshuarit nuk është gjetë në vendbanimin e tij dhe është arratisur. Ndërsa tjetri ka penguar personat zyrtarë për kryerjen e detyrës”.

Shillova bëri të ditur se gjatë operacionit nuk ka pasur persona të lënduar, raporton EO.

“Operacioni ka rezultu të jetë i suksesshëm, janë përdorë mjete të parapara me ligj. Gjatë operacionit nuk ka pasur persona të lënduar. Të dyshuarit janë në objektet e policisë përkohësisht.”

Prokurori Sylë Hoxha bëri të ditur se janë dëgjuar një numër i dëshmitarëve lidhur me rastin e vrasjes së Ivanoviqit.

Sipas Hoxhës, Prokuroria speciale ka ardhur në përfundim se vetëm edhe me një urdhër-kontroll do të sigurohet ndonjë detaj lidhur me këtë rast.

“I kemi dëgjuar një numër të dëshmitarëve për vrasjen e Ivanoviqit. Me datën 20 nëntor prokurori i rastit ka parashtruar kërkesë për shtimin e kontrollit kundër të pandehurve të rastit. Prokuroria Speciale ka ardhë në përfundim se vetëm edhe me një urdhër-kontroll do të sigurohet ndonjë detaj lidhur me vrasjen e Ivanoviqit”.

Hoxha tha se Prokuroria ka prova për t’i ndaluar edhe dy persona të cilët kanë ndihmuar në vrasjen e Ivanoviqit.

“Sot përveç urdhër-kontrollit kemi qenë të detyruar ta ndalojmë edhe një person i cili ka penguar në kryerjen e detyrave zyrtare. I pandehuri M.R. nuk është gjetur në adresën e tij. Ende nuk është arritur të arrestohet edhe një person me inicialet S.A. Për hir të hetimeve në këtë fazë shkojmë vetëm me inicialet. Këta persona kanë ndihmuar në vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Ne për momentin kemi dyshime por edhe prova për t’i ndaluar këta persona”.

Baki Kelani, zëdhënës i Policisë, foli rreth protestës në veri. Ai tha se Policia e Kosovës e njeh të drejtën e qytetarëve për të protestuar.

“Policia ka informacione për protestën e orës 12. Ne e njohim të drejtën e qytetarit për të protestuar. Dhe do vazhdojmë sipas situatës që të ruajmë rendin dhe qetësinë në vend”.

Sipas Hoxhës, arrestimet e ditës së sotme nuk kanë lidhje me vendimin e qeverisë për masën e vendosur ndaj Serbisë.

Oliver Ivanoviq ishte vrarë më 16 janar 2018. Jo larg nga vendi i ngjarjes, ishte gjetur një makinë e djegur “Opel astra”, me të cilën supozohej se vrasësi ishte larguar dhe më pas ia vuri zjarrin për t’i mbuluar gjurmët.

Të ngjashme