Protesta masive në Izrael për Reformën në Drejtësi, Netanyahu i vendosur për miratim

Prishtinë | 24 Kor 2023 | 14:49 | Nga Ekonomia Online

Mijëra izraelitë u mblodhën në Jeruzalem duke bërë thirrje për unitet kundër Reformës në Drejtësi, e cila e zhyti Izraelin në një nga krizat e tij më të këqija politike dhe ndezi protesta të paprecedenta në vend dhe shqetësim të thellë jashtë vendit.

Turma që përfshinte kundërshtarë dhe mbështetës të ndryshimeve gjyqësore mbajti një lutje masive në Murin Perëndimor, vendin më të shenjtë të judaizmit dhe formoi një zinxhir njerëzor në të gjithë Jeruzalemin. Gjithçka vjen pasi ligjvënësit nisën debatin mbi një projektligj për të kufizuar aftësinë e gjykatës për të anuluar vendimet e marra nga qeveria dhe ministrat, që ajo e konsideron “të paarsyeshme”.

Votimi i kësaj reforme pritet të bëhet të hënën dhe nga spitali ku iu vendos një stimulues kardiak, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u shpreh i vendosur për kalimin e reformës me ose pa konsensus.

“Siç mund ta shihni, jam në gjendje të shkëlqyer shëndetësore”, tha Netanjahu, duke shtuar se po ndjek përpjekjet për të finalizuar legjislacionin, por edhe për ta votuar përmes konsensusit.

“Por, në çdo rast, dua që ta dini se nesër në mëngjes do t’u bashkohem kolegëve në Dhomën e Përfaqësuesve”, u shpreh Netanjahu.

Ndërkohë, dhjetëra mijëra izraelitë vazhduan të dynden në Jeruzalem për të mbajtur protesta të ndryshme kundër rishikimit të gjyqësorit, protesta që vijojnë përpara votimit kyç. Por, nuk mungojnë as tubimet pro-qeveritare në mbështetje të ndryshimeve gjyqësore në Tel Aviv. Plani i qeverisë mbolli përçarje në mesin e publikut izraelit dhe madje edhe brenda ushtrisë, e konsideruar prej kohësh si një tenxhere apolitike për një shoqëri të përçarë, me shqetësimet për gatishmërinë për luftë të shprehura në të dyja anët e debatit.

Të ngjashme