Putin premton ta ndihmojë “normalizimin” e marrëdhënieve SHBA-Kore Veriore, gjatë samitit me Kimin

Prishtinë | 25 Pri 2019 | 12:04 | Nga Ekonomia Online

Presidenti rus, Vladimir Putin dhe lideri i Koresë Veriore, Kim Jong-un, kanë premtuar të premten që të krijojnë marrëdhënie më të afërta, gjatë samitit të tyre të parë të mbajtur në Vladivostok të Rusisë.

Pas përfundimit të takimit dyorësh, Putini u zotua që të ofrojë ndihmë në kapërcimin e bllokadës së krijuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës rreth programit koreanoverior të armëve bërthamore, ka raportuar e përditshmja britanike “The Guardian”, transmeton “Koha Ditore”.

“Ne sapo patëm diskutime goxha substancionale me njëri-tjetrin”, tha Putin, gjatë adresimit para mediave në fund të bisedimeve. “Ishim në gjendje të diskutonim rreth historisë së marrëdhënieve tona. Biseduam po ashtu për të tanishmen dhe gjasat e zhvillimit të marrëdhënieve bilaterale në të ardhmen. Natyrisht, diskutuan rreth gjendjes në Gadishullin Korean, po ashtu”. “Pa asnjë diskutim ne i përshëndesim përpjekjet tuaja për të zhvilluar dialog mes dy Koreve si dhe për normalizimin e marrëdhënieve Kore Veriore-SHBA”, ka thënë Putini.

Kim, i cili mbërriti në Rusi të mërkurën me trenin e tij të blinduar, i quajti bisedimet “tejet domethënëse”. Dy liderët nuk njoftuan për ndonjë marrëveshje të arritur mes dy shteteve. Por toni miqësor i shprehur nga Putini dhe Kimi ishte në kundërthënie të plotë me atë të pas samitit të mëparshëm mes Kimit dhe presidentit amerikan, Donald Trump, gjatë muajit shkurt.

Samiti i dytë i Trumpit dhe Kimit në Hanoi përfundoi pa marrëveshje dhe me deklarime kundërthënëse rreth dështimit. Koreja Veriore tani po e sheh Rusinë si një aleat potencial për negociatat me SHBA-në dhe si një burim të mundshëm të mbështetjes për ekonominë e saj të rënduar nga sanksionet ndërkombëtare.

Të ngjashme