Qehaja: Situata në veri mund të rieskalojë, Serbia do të formojë njësite të tjera

Prishtinë | 26 Sht 2023 | 11:28 | Nga Ekonomia Online

Eksperti i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, Ramadan Qehaja ka thënë se ekziston mundësia e eskalimit të serishëm të situatës në veri të vendit.

Ai, në një deklarim për RTK-në të hënën në mbrëmje, ka deklaruar se Serbia qëndron prapa sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës. Ka thënë se Serbia “do t’i ndryshojë format e veprimeve në veri” përmes formësimit të njësiteve tjera.

“Në pjesën veriore të vendit tonë e kemi një situatë të brishtë të sigurisë dhe unë jam i prirë të them se ekziston mundësia e eskalimit të situatës së sigurisë në këtë pjesë të vendit. E kam parasysh atë që në këtë moment Serbia zyrtare nuk i arriti qëllimet e veta, të cilat i ka parashtruar me këtë njësit terrorist. Atëherë, nuk do të thotë se ajo do të heqë dorë nga synimet e veta, prandaj do të ndryshojë format e veprimeve në veri me njësite të tjera të cilat do t’i formësojë në një kohë shumë të shkurtër. Ne duhet të jemi shumë vigjilentë në këtë drejtim”, ka thënë Qehaja.

Ai ka pyetur se si është e mundur që një sasi aq e madhe e armatimit, e cila u gjet brenda Manastirit të Banjskës të dielën, është futur në brendi të territorit të Kosovës pa u vërejtur nga askush.

“Si qe e mundur që kaq shumë forca të hyjnë në brendi të territorit të Kosovës, në fshatin Banjska, të cilën unë e njoh mirë që prej socializimit sepse kam kaluar disa herë aty. Ndoshta inteligjenca ynë e ka pasur këtë element, që ata po hyjnë aty, por si qe e mundur që KFOR-i nuk e ka vërejtur dhe nuk ka ndërmarrë kurrëfarë mase”, ka deklaruar ai.

Të ngjashme