Rama i nënshkruan 13 marrëveshjet: Pasdite pres takim me Kurtin

Prishtinë | 06 Kor 2023 | 09:50 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ia ka dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës të nënshkruara 13 marrëveshjet që prisnin miratimin e dy qeverive, në një mbledhje që nuk u mbajt në qershor.

Rama shkroi në Twitter se shpreson që tash Kurti do të pranojë ta zhvillojnë një takim sot pasdite në Prishtinë, pasi shefi i Qeverisë së Kosovës tha dje se “marrëveshjet kanë mbetur në sirtar” dhe se pa një mbledhje të dy qeverive s’mund të kishte takim kokë më kokë.

“Pas pak drejt Shkupit për të nisur vizitën dyditore në kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor. Sot të mëngjes janë dorëzuar në ministrinë e jashtme në Kosovë të 13 marrëveshjet e mbledhjes së dy qeverive të firmosura nga ana jonë. Me kundërfirmosjen e palës kosovare ato hyjnë menjëherë në fuqi. Mbetem me shpresë se pas heqjes së merakut të shprehur publikisht nga KM Kurti për qytetarët e penguar të përfitojnë nga 13 marrëveshjet, do të kemi edhe konfirmimin e takimit me Albinin sot pasdite”, shkroi Rama.

Kurti të mërkurën në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë nuk u shpreh i gatshëm ta takojë Ramën, duke pranuar se raporti ndërmjet dy vendeve “po lëngon”.

“Unë jam në kontakt të drejtpërdrejtë me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama dhe e di që do të vijë në një vizitë në Prishtinë në kuadër të tourit ballkanik. Është thënë që ky tour ka të bëjë me përgatitjen e samitit të radhës të Procesit të Berlinit që mbahet në mes të muajit tetor dhe unë miqësisht i kam kërkuar kryeministrit Rama që meqenëse do të vijë dhe do të qëndrojë dy ditë e një natë në Prishtinë, ta mbajmë edhe mbledhjen e dy qeverive e cila u anulua paarsyeshëm ndonëse ishte paraparë muaj më parë”, tha Kurti.

Kryeministri i Kosovës tha se i kishin bërë të gjitha përgatitjet për mbledhjen e anuluar të dy qeverive që ishte planifikuar të mbahej më 14 qershor dhe “13 marrëveshje kanë pasur të nënshkruhen tash kanë ngelur në sirtar”. Kurti tha se nga to “nuk përfitojnë kryeministrat, përfitojnë qytetarët”.

Të ngjashme