Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka pritur sot në takim kampionen e Evropës në futbollin amerikan, Edona Leku, e cila është pjesë e kombëtares së Finlandës.
Lladrovci ka bërë të ditur se gjatë takimit është njohur me karrierën dhe sukseset e Lekut, si dhe me kontributin e saj në triumfin e Finlandës në Kampionatin Evropian të femrave në futbollin amerikan.
“Me kënaqësi prita sot në takim, kampionen e Evropës në futbollin amerikan, znj. Edona Leku.
Edona është pjesë e kombëtares finlandeze dhe me krenari dëshmon angazhimin e jashtëzakonshëm të saj, në një sport dinamik ku ajo luan në vijën sulmuese”, ka shkruar Lladrovci.
Ai ka përmendur edhe finalen e Kampionatit Evropian, ku Finlanda mposhti Gjermaninë me rezultat 6–0, duke theksuar rolin e Lekut në këtë sukses.
“Në takim u njoftova për karrierën e saj të shkëlqyer, për arritjet e shqiptarëve në Finlandën mike si dhe për ndeshjen finale në gusht të këtij viti ku Finlanda fitoi finalen e Kampionatit Evropian të femrave në futbollin amerikan kundër Gjermanisë, me rezultat 6–0. Edona kishte rrol dhe kontribut të rëndësishëm për fitoren e Finlandës”, ka deklaruar ai.
Lladrovci ka thënë se e ka përgëzuar Lekun për sukseset e saj, ndërsa ka vlerësuar edhe lidhjet e saj me vendlindjen dhe familjarët në Drenas e Kosovë.
“E përgëzova Edonën për sukseset e saj në sport të rrallë e mjaft luftarak, njëherësh e falënderova për praninë e saj në vendlindje, raportet e pashkëputshme me familjarët në Drenas dhe në Kosovë”, ka shkruar Lladrovci.
Në shenjë mirënjohjeje për sukseset e saj sportive, Lladrovci ka bërë të ditur se Lekut i ka ndarë një mirënjohje dhe disa dhurata simbolike.
“Në shenjë nderimi për sukseset e Edonës në sport, ia dhashë një Mirënjohje, librin e Bedri Islamit, kushtuar heroi dhe heroinës Fehmi e Xhevë Lladrovci ‘Përjetësia e dyfishtë’ dhe një medaljon të punuar nga duart e arta të grave të Drenasit”, ka thënë ai.
Ndërkaq, Lladrovci ka bërë të ditur se nga Edona Leku ka pranuar si dhuratë ndërresën e saj sportive me numrin 77.
“Nga Edona pranova po ashtu një dhuratë, ndërresën e saj, me numrin 77.
Faleminderit Edonë, krenar me arritjet tuaja dhe dashurinë për atdheun!”, ka shkruar Lladrovci.