Përkundër faktit që në Kosovë janë paraqitur raste të infektimit për herë të dytë me COVID-19, në Klinikën Infektive të QKUK-së, nuk është asnjë pacientë që është për herë të dytë i hospitalizuar.
Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, Drejtoresha e Klinikës Infektive në QKUK, Lindita Ajazaj-Berisha.
“Për momentin në Klinikën Infektive i kemi 91 pacientë, 56 prej tyre janë me oksigjenoterapi, 2 në respirator. Për momentin nuk kemi pacientë që është për herë të dytë i hospitalizuar”, bëri të ditur Ajazaj-Berisha.
Ndërkohë, infektologu, Salih Ahmeti ka deklaruar ditë më parë se ri-infektimi me coronavirus është një shqetësim.
“Në praktikën tonë kemi pasur disa raste që kanë manifestuar shenja klinike për herën e dytë dhe që të njëjtin kanë rezultuar pozitiv për herë të dytë në testin PCR. Gjithmonë te sëmundjet infektive raste përjashtuese ekzistojnë. Edhe te COVID-19, për arsye të ndryshme mund të ekzistojnë rastet e infektimit”, kishte pohuar ai.
Ndryshe, në 24-orët e fundit në Kosovë janë konfirmuar 341 raste të reja me coronavirus, ndërsa numri i viktimave ka arritur në 1 mijë e 509.
Kurse, numri i personave të shëruar nga ky virus është 53 mijë e 17.
Aktualisht në fuqi vazhdojnë të mbesin disa masat kufizuese sipas komunave, ku në zonën e verdhë dhe të gjelbër, operatorët ekonomik, sektori i gastronomisë dhe qendrat tregtare lejohen të punojnë deri në ora 22:00, ndërsa nuk ka kufizim të lëvizjes për qytetarë.
Ndërsa, komunat që janë në zonë të kuqe, operatorët ekonomikë, sektori i gastronomisë, dhe qendrat tregtare lejohen të punojnë deri në ora 21:00, kurse pas orës 21:30 ndalohet lëvizja e qytetarëve.
Sipas kategorizimit të fundit të bërë nga Ministria e Shëndetësisë, në zonën e kuqe janë vetëm dy komuna: Prishtina dhe Fushë Kosova.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), ka kërkuar nga qytetarët që të respektojnë masat mbrojtëse ndaj virusit.