Agjencia e lajmeve “Reuters” ka shkruar një artikull për bllokimin e pikave kufitare Serbi-Kosovë.
Në artikull thuhet se autoritetet kosovare kanë mbyllur dy pikat e saj kufitare me Serbinë, pas protestave të organizuara në territorin serb – duke bllokuar rrugët dhe kthyer pas të gjithë pasagjerët që kanë dokumente të Kosovës.
Një grup i vogël protestuesish u mblodhën disa kilometra brenda Serbisë, afër të paktën tre pikave kufitare, dhe po kontrollonin nëse shoferët kishin dokumente udhëtimi të lëshuara nga Kosova.
“Grupet e maskuara të ekstremistëve brenda territorit serb po ndalojnë në mënyrë selektive dhe me një qasje fashiste qytetarët që përdorin Serbinë si tranzit”, ka thënë ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla në faqen e tij në Facebook, duke njoftuar mbylljen e vendkalimeve në Merdare dhe Bërnjak.
Grupi po protestonte kundër veprimeve të fundit të Prishtinës në veri të Kosovës, kryesisht të banuar nga serbë etnikë, të cilat mbyllën institucionet paralele të drejtuara nga Beogradi, thuhet në artikull.
Rreth 50,000 serbë jetojnë në atë zonë dhe, ashtu si Serbia, nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Ata e konsiderojnë Beogradin kryeqytetin e tyre.
Në dy vitet e fundit, Kosova veriore ka përjetuar tensionet e saj më të këqija etnike që kur vendi me shumicë shqiptare shpalli pavarësinë në vitin 2008.
Reuters shkruan se “edhe pse Kosova njihet nga më shumë se 100 shtete, Serbia e konsideron atë pjesë të territorit serb”.