Scholz s’ka frikë për të ardhmen e Deutsche Bank

Prishtinë | 25 Mar 2023 | 15:46 | Nga Ekonomia Online

Kancelari gjerman Olaf Scholz iu referua krizës në sistemin bankar, veçanërisht krizës brenda Deutsche Bank, e cila ditët e fundit nga shumëkush është cilësuar si banka e radhës që mund të ketë fatin e Credit Suisse.

Edhe pse aksionet e bankës ranë deri në 14 për qind të premten, kancelari është i bindur se banka më e madhe e Gjermanisë ka një të ardhme të qëndrueshme.

“Deutsche Bank ka modernizuar dhe riorganizuar në thelb operacionet e saj dhe është një bankë shumë fitimprurëse. Nuk ka asnjë arsye që të ketë të njëjtin fat si Credit Suisse. Mjaftueshmëria e kapitalit të bankave evropiane është një forcë, falë punës që kemi investuar në vitet e fundit, por edhe falë përpjekjeve të vetë bankave”, ka thënë Scholz, shkruan Financial Times.

Ashtu si shumë banka, aksionet e Deutsche Bank kanë rënë këtë vit, duke humbur më shumë se një të pestën e vlerës së tyre pasi investitorët shqetësohen për rritjen e shpejtë të normave të interesit dhe paqëndrueshmërinë financiare globale.

Aksionet e Deutsche ranë 8.6 për qind në tregtimin evropiane, ndërsa banka rivale Commerzbank e mbylli javën me rënie 5.4 për qind. Banka franceze Societe Generale ra 6.1 për qind.

Të ngjashme