Së paku 11 të vdekur e dhjetëra të ngujuar në një minierë thëngjilli në Siberi

Prishtinë | 25 Nën 2021 | 12:08 | Nga Ekonomia Online

Të paktën 11 persona vdiqën në një aksident në një minierë thëngjilli në Siberi të Rusisë të enjten, thanë autoritetet lokale. Punëtorët e ekipeve emergjente po mundohen të shpëtojnë dhjetëra minatorë që ende janë të ngujuar në thellësi të tokës.

Pluhuri i thëngjillit u përfshi nga zjarri në një bosht ventilimi në minierën “Listvyazhnaya” të rajonit Kemerovo, duke e mbushur minierën me tym, citohen të ketë thënë shërbimet emergjente lokale, raportoi agjencia TASS.

Guvernatori rajonal, Sergei Tsivilev, tha se 11 persona janë gjetur të vdekur dhe 46 të tjerë janë ende nën tokë. Dhjetëra të tjerë po trajtohen në spital, të paktën disa prej tyre për helmim nga tymi. Katër persona raportohet se janë në gjendje kritike.

Ministria e Emergjencave tha se rreth 285 persona ndodheshin brenda minierës, kur tymi u shpërnda nëpër boshtin e ventilimit.

Guvernatori Tsivilev tha se nuk ka më tym të dendur në minierë, ku ende ka rrymë dhe ventilim, por kontakti me disa persona në thellësi është humbur.

Të ngjashme