Sekretari amerikan i Shtetit paralajmëron Gjermaninë për tubacionin “Nord Stream 2”

Prishtinë | 23 Mar 2021 | 14:06 | Nga Ekonomia Online

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken, ka thënë të martën se tubacioni “Nord Stream 2” që po ndërtohej nga Rusia në Gjermani binte ndesh me interesat e vetë Bashkimit Evropian.

Sipas Reuters, përcjell Telegrafi, reagimi i radhës amerikan vjen derisa Gjermania po bën presion për përfundimin e tubacionit, megjithë kundërshtimin e qëndrueshëm të SHBA-së për më shumë se një dekadë.

Dhe duke folur në vizitën e tij të parë në NATO, Blinken tha se ai do të takonte homologun e tij gjerman, Heiko Maas, për të diskutuar çështjen.

“Presidenti (Joe) Biden ka qenë shumë i qartë, ai beson se tubacioni është një ide e keqe, e keqe për Evropën, e keqe për Shtetet e Bashkuara, në fund të fundit është në kundërshtim me qëllimet e BE-së për sigurinë”, citohet të ketë thënë Blinken ndërsa u takua me sekretarin e NATO-s, gjenerali Jens Stoltenberg.

“Ka potencial për të minuar interesat e Ukrainës, Polonisë dhe një numri partnerësh dhe aleatësh të ngushtë”, tha Blinken, duke thënë se një ligj i SHBA-së kërkoi që Uashingtoni të vendosë sanksione ndaj kompanive që marrin pjesë në projektin “Nord Stream 2”.

Siç shkruan më tej Reuters, tubacioni tashmë është ndërtuar rreth 95% dhe mund të përfundojë deri në shtator, thonë analistët që monitorojnë të dhënat e gjurmimit.

Shtetet e Bashkuara kanë frikë se Rusia mund të përdorë “Nord Stream 2” si levë për të dobësuar shtetet e BE-së duke rritur varësinë nga Moska.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme