SHBA-ja shqyrtoi rinisjen e testeve bërthamore, pretendon John Bolton

Prishtinë | 23 Kor 2020 | 09:37 | Nga Ekonomia Online

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kishin mbajtur një seri diskutimesh gjatë dy vjetëve të kaluar për mundësinë e rifillimit të testeve bërthamore amerikane, ka bërë të ditur ish-këshilltari i sigurisë kombëtare amerikane, John Bolton.

“Në fakt, kjo temë ishte diskutuar”, ka deklaruar Bolton, mbështetës i madh i testeve atomike. Gjatë një interviste për gazetën britanike “Guardian”, ai megjithatë ka pranuar se kishte kundërshtim nga disa zyrtarë të lartë në mesin e administratës aktuale. Ata kishin pretenduar se aktualisht ishin të mjaftueshme testet amerikane kompjuterike të kokave bërthamore. Bolton ka konfirmuar se derisa ishte pjesë e kabinetit presidencial nuk ishte marrë asnjë vendim. Bolton është larguar nga administrata në shtatorin e vitit të kaluar, raporton “The Guardian”, transmeton KOHA. 

Kur ishte hapur mundësia që pas tridhjetë vjetësh Shtetet e Bashkuara t’u ktheheshin testeve nëntokësore në majin e vitit të kaluar, debati kishte nxitur zemërim të madh në mesin e përkrahësve të kontrollit të armëve bërthamore dhe të një amendamenti të demokratëve që Ligji për autorizimin e mbrojtjes kombëtare i vitit të ardhshëm bllokon fondet për përgatitje për një test bërthamor.

Boltoni, i cili ka publikuar së fundmi memoaret për kohën në Shtëpinë e Bardhë të Trumpit, “The Room Where It Happended”, ka thënë se çështja ishte diskutuar përgjithësisht në disa raste, përderisa ishte këshilltar për siguri kombëtare prej prillit 2018 deri në shtator 2019. Megjithatë, diskutimet nuk ishin “operacionalizuar”, meqë prioritet i tij ishte që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të tërhiqeshin nga traktati i Forcave Bërthamore me rreze të ndërmjetme.

Të ngjashme