ShBA-ja ua nxjerr 26 miliardë dollarë kompanive të barnave për vdekjet nga opioidet

Prishtinë | 22 Kor 2021 | 11:27 | Nga Ekonomia Online

Një grup i prokurorëve të përgjithshëm në ShBA zbuluan të mërkurën një marrëveshje historike prej 26 miliardë dollarësh me kompani të mëdha të barnave për nxitjen e epidemisë vdekjeprurëse të opioideve në të gjithë vendin.

Sipas propozimit të zgjidhjes, tre shpërndarësit më të mëdhenj amerikanë të ilaçeve, McKesson Corp, Cardinal Health Inc dhe AmerisourceBergen Corp, pritet të paguajnë gjithsej 21 miliardë dollarë, ndërsa prodhuesi i ilaçeve Johnson & Johnson (J&J), i cili prodhon opioide, do të paguajë 5 miliardë dollarë.

“Nuk ka mjaft para në botë për të adresuar dhimbjen dhe vuajtjen”, tha prokurori i përgjithshëm i Connecticut-it, William Tong, duke shtuar se paratë do të “ndihmojnë atje ku ndihma është e nevojshme”.

Marrëveshja ishte zgjidhja e dytë më e madhe ndonjëherë, ku vetëm marrëveshja e duhanit, prej 246 miliardë dollarësh në 1998, ishte më e madhe.

Paratë e shlyerjes nga shpërndarësit do të paguhen për 18 vjet. Kompania Johnson & Johnson do të paguajë për një periudhë prej mbi nëntë vitesh, ndërsa deri në 3.7 miliardë dollarë pritet të paguhen gjatë tri viteve të para.

Paratë pritet të përdoren për trajtimin e varësisë, mbështetjen e familjeve, arsimin dhe programe të tjera sociale, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Kompanitë shpërndarëse u akuzuan për kontrolle të dobëta që lejuan që sasi masive të barnave, të cilat krijojnë varësi, të shndërroheshin në kanale të paligjshme, ndërsa Johnson & Johnson u akuzua për minimizimin e rrezikut të varësisë gjatë reklamimit të opioideve. Kompanitë i kanë mohuar akuzat.

Të ngjashme