EcoKosWomen dhe CNVP kanë shënuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas Rurale, raporton Ekonomia Online. Shënimi i kësaj dite synon njohjen e kontributit dhe rolin e grave nga zonat rurale në komunitet, me qëllim të përmirësimit të jetës dhe mirëqenies në tërësi.
Me këtë rast zëvendësministri i Bujqësisë, Imri Demelezi, tha se gratë rurale janë shtyllë e shoqërisë sonë, duke kontribuar në ekonominë dhe mirëqenien e vendit.
“Në hapjen e Panairit për promovimin e produkteve rurale, bëjmë thirrje që gratë të vetëdijesohen për kontrollet e hershme të kancerit të gjirit. Si Qeveri i kemi kushtuar rol të veçantë rolit të gruas, por ka ende shumë punë për të drejtat e tyre”.
“Roli jonë si Ministri në vendet rurale është shumë i rëndësishëm. Roli i grave në vendet rurale është kyç për shkak të përparësisë që ato kanë në biznes”.
Ai shtoi se gratë rurale janë bazë e qëndrueshme për ekonominë dhe shëndetin e shoqërisë. Demelzi ka theksuar se Ministria edhe më tutje po i mbështet gratë fermere përmes granteve e subvencioneve të ndryshme.
Resul Makreshi, zv.ministër i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, po ashtu ka vlerësuar rolin e grave rurale të Kosovës. Ai ka thënë se kjo ditë na kujtoj rolin kyç që ato luajnë në prodhimin e ushqimit e në mbrojtjen e natyrës, raporton EO.
“Një ditë që na kujton se gratë rurale janë shtyllë e shoqërisë dhe luajnë një rol kyç në prodhimin e ushqimit dhe mbrojtjen e natyrës. Ato përballen me sfida të shumta, por me punën e tyre të palodhshme kontribuojnë në familjet e komunitetet e tyre”.
Dita Botërore e Gruas Rurale u caktua në vitin 1995 nga organizatat e shoqërisë civile në Konferencën e katërt botërore për gratë në Pekin dhe u shpall ditë zyrtare në vitin 2007 nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së.
Kjo ditë për herë të parë u shënua më 15 tetor 2008, pasi përmes një rezolute Organizata e Kombeve të Bashkuara në vitin 2007 njohën “rolin jetik dhe kontributin e gruas rurale, për mirëmbajtjen e agrikulturës dhe zhvillimit rural, për përmirësimin e sigurimit të ushqimit dhe luftimit të varfërisë rurale”.