Shkencëtarët konkludojnë “shfarosja biologjike që rezulton do të ketë pasoja serioze ekologjike, ekonomike dhe shoqërore. Njerëzimi në fund do të paguajë një çmim shumë të lartë për shkatërrimin e të vetmes bashkësi të jetës që njohim në univers”. Një “asgjësim biologjik” i kafshëve të egra në dekadat e fundit nënkupton se shfarosja e gjashtë masive […]
Shkencëtarët: Shfarosja e gjashtë masive e Tokës është duke ndodhur

Shkencëtarët konkludojnë “shfarosja biologjike që rezulton do të ketë pasoja serioze ekologjike, ekonomike dhe shoqërore. Njerëzimi në fund do të paguajë një çmim shumë të lartë për shkatërrimin e të vetmes bashkësi të jetës që njohim në univers”.
Një “asgjësim biologjik” i kafshëve të egra në dekadat e fundit nënkupton se shfarosja e gjashtë masive në historinë e Tokës është duke ndodhur, dhe është më e fortë sesa kishim menduar, sipas studimeve.
Shkencëtarët analizuan speciet e zakonshme dhe të rralla dhe gjetën se miliarda popullsi rajonale ose lokale kanë humbur. Ata fajësojnë mbipopullimin e njerëzve dhe konsumin e tepruar për këtë krizë, dhe paralajmëruan se kjo kërcënon mbijetesën e qytetërimit njerëzor, teksa kemi vetëm një afat të shkurtër kohor për të vepruar.
Studimi, i botuar në revistën e Akademisë Kombëtare të Shkencave, përjashton tonin normalisht të matur të dokumentave shkencore dhe e quan zhdukjen masive të kafshëve të egra një “asgjësim biologjik”, që përbën një “sulm të frikshëm mbi themelet e qytetërimit njerëzor”.
Prof Gerardo Ceballos, në Universitetin Kombëtar Autonom të Meksikës, i cili udhëhoqi studimin, tha: “Situata është bërë kaq e keqe, sa nuk do të ishte etike të mos përdorej një gjuhë e fortë”.
Studimet e mëparshme kanë treguar se speciet janë duke u zhdukur në një shkallë shumë më të shpejtë se sa për miliona vjet më parë, por edhe kështu zhdukjet mbeten relativisht të rralla duke dhënë përshtypjen e një humbjeje graduale të biodiversitetit, shkruan bota.al. Studimi i ri ka vlerësuar shumë specie të zakonshme që po humbasin popullsi në mbarë botën, ndërsa radhët e tyre tkurren, por mbeten të pranishme gjetkë.
Shkencëtarët zbuluan se një e treta e mijëra specieve që humbasin popullsi, aktualisht nuk konsiderohen të rrezikuara dhe se deri në 50% e të gjitha kafshëve kanë humbur në dekadat e fundit. Të dhëna të hollësishme janë në dispozicion për gjitarët e tokës, dhe pothuajse gjysma e tyre kanë humbur 80% të rahëve në shekullin e fundit. Shkencëtarët zbuluan se miliarda popullsi të gjitarëve, zogjve, zvarranikëve dhe amfibëve kanë humbur në të gjithë planetin, duke i bërë ata të thonë se një zhdukje e gjashtë masive tashmë ka përparuar më tej sesa është menduar.

















