Shkon në 25 numri i viktimave nga bombardimi i stacionit hekurudhor në Ukrainë

Prishtinë | 25 Gus 2022 | 12:46 | Nga Ekonomia Online

Autoritetet ukrainase bënë të ditur se ka shkuar në 25 numri i viktimave nga sulmi rus me raketa në një stacion treni në Çapline, në ditën kur u bënë gjashtë muaj që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës.

Pesë nga viktimat e sulmit në qytetin lindor Çapline humbën jetën pasi automjeti i tyre u përfshi nga flakët e shpërthimit të raketave. Dy djem të moshës 6 dhe 11 vjeç u vranë gjithashtu gjatë sulmit rus.

Nënkryetari i zyrës presidenciale të Ukrainës, Kyrylo Tymoshenko, i bëri të ditura shifrat e përditësuara të viktimave nga sulmi i së mërkurës. Gjithsej 31 persona kanë pësuar lëndime, tha ai.

Sulmi ishte një kujtesë e dhimbshme se Rusia është e aftë të përdorë forcën ushtarake që të shkaktojë vuajtje te popullsia civile, duke testuar qëndrueshmërinë e Ukrainës pas gjashtë muaj luftimesh.

Në Gjenevë të enjten, shefja e OKB-së për të drejtat e njeriut, Michelle Bachelet, e përshkroi periudhën që kur presidenti rus, Vladimir Putin, dërgoi trupa në vendin fqinj si “të tmerrshme përtej imagjinatës”. Ajo i bëri thirrje Putinit “të ndalojë sulmet e armatosura kundër Ukrainës”.

Sulmi vdekjeprurës në stacionin e trenit ndodhi në Çaplinë, një qytet me rreth 3.500 banorë në rajonin qendror të Dnipropetrovskut. Sulmi ndodhi pasi presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi se Moska mund të tentojë “diçka veçanërisht mizore” këtë javë, meqë të mërkurën Ukraina shënonte 31-vjetorin e shpalljes së pavarësisë nga Bashkimi Sovjetik dhe gjashtë muaj nga nisja e pushtimit rus.

Disa orë para sulmit në stacionin e trenit, Rusia këmbënguli se po bënte më të mirën për të kursyer civilët, edhe nëse kjo nënkuptonte ngadalësimin e ofensivës së saj në Ukrainë.

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, duke folur të mërkurën në një takim me homologë të tij nga një organizatë sigurie e kryesuar nga Rusia dhe Kina, tha se Moska po kryente sulme me armë precize kundër objektivave ushtarake ukrainase dhe se ” po bëhej gjithçka për t’i shmangur viktimat civile”.

“Pa dyshim, kjo e ngadalëson ritmin e ofensivës, por ne e bëjmë këtë qëllimisht”, tha ai. Ishte hera e dytë që Shoigu pohonte një pretendim të tillë, pasi ai e tha të njëjtën gjë në fund të majit.

Ndërkohë, tre persona u vranë në rajonin lindor të Donjeckut të mërkurën dhe një tjetër u plagos, shkroi në Telegram guvernatori Pavlo Kyrylenko.

Nikopol, një qytet përtej lumit nga centrali bërthamor i Zaporizhias, u bombarda nga rusët gjatë natës, tha Valentyn Reznichenko, guvernator i rajonit të Dnipropetrovskut./REL

Të ngjashme