Shkon në mbi 20,000 numri i viktimave nga Coronavirusi në Britani

Prishtinë | 25 Pri 2020 | 16:02 | Nga Ekonomia Online

Ka shkuar në 20,287 numri i përgjithshëm i të vdekurve nga koronavirusi në Mbretërinë e Bashkuar. Vetëm gjatë 24 orëve të kaluara, në këtë shtet u regjistruan 781 viktima të reja.

Në Angli u raportuan 711 të vdekur gjatë kësaj periudhe dhe shifra e përgjithshme e viktimave shkoi në 18,084. Në Skoci u shënuan 47 raste të reja fatale, ndërsa në Uells vdiqën 23 persona, shkruan “Daily Mail”.

Në këtë mënyrë, Britania iu bashkua katër shteteve të tjera që i kanë regjistruar më shumë se 20 mijë viktima të koronavirusit: Shtetet e Bashkuara, Italia, Spanja dhe Franca.

Zyrtarët shëndetësorë po brengosen që shumë persona nuk janë duke kërkuar trajtim mjekësor në spitale nga frika se infektohen me Covid-19 dhe kështu po i rrezikojnë gjasat për mbijetesë.

Qeveria britanike vazhdimisht ka bërë thirrje që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi dhe t’i respektojnë masat kufizuese. Sidoqoftë, një pjesë e tyre si duket nuk po mund të mos e shfrytëzojë motin me diell, duke dalë në parqe publike dhe në plazh për ecje.

Ndryshe, sipas të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins”, deri të hënën pasdite në botë janë infektuar 2 milionë e 828 mijë persona, ndërsa kanë vdekur gati 198 mijë. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë në vendin e parë si për numrin e të infektuarve, ashtu edhe për shifrën e viktimave.

Të ngjashme