Shpallet i pafajshëm polici që akuzohej se kishte ndryshuar faktet e aksidentit në trafik

Prishtinë | 23 Mar 2018 | 14:37 | Nga

Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare, policin Nexhmi Qyqalla, i cili akuzohej se kishte ndryshuar faktet e aksidentit në trafik, që kishte ndodhur në fshatin Bardh i Madh të Fushë Kosovës, në vitin 2016.

Aktgjykimi ndaj tij, është shpallur të premten, nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Shasivar Hoti, i cili ka deklaruar se nuk është vërtetuar me prova se i akuzuari e ka kryer veprën penale, me të cilën ngarkohej.

Gjatë ditës, ishte dhënë edhe fjala përfundimtare në këtë rast, ku prokurori Feti Tunuzliu, kishte kërkuar që i akuzuari Qyqalla, të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

“Nga administrimi i provave në shqyrtimin gjyqësor në mënyrë të plotë është vërtetuar se i akuzuari Nexhmi Qyqalla e ka kryer veprën penale të keqpërdorimit”, ka thënë prokurori Tunizliu, në fjalën e tij përfundimtare.

Ndryshe, nga prokurori, mbrojtësi i Qyqallës, avokati Asdren Hoxha, ka deklaruar se Prokuroria ka dështuar që të argumentojë se i mbrojturi i tij, është fajtor për veprën penale, e cila i vihet në barrë.

“I mbrojturi im është akuzu me prova të paqëndrueshme dhe në këtë shqyrtim gjyqësor nuk është vërtetuar se i mbrojturi im ka kryer veprën penale, për të cilën është akuzu. Kjo aktakuzë nuk mund të rezultojë me aktgjykim fajësues, ne shohim se Prokuroria nuk ka përmend asnjë veprim konkret, aty thuhet se kinse ka bisedu, por nuk ka vepru, thuhet se është tentuar të ndryshojë rrethanat e aksidentit të trafikut. Vet cilësimi juridik nuk përputhet me gjendjen faktike dhe Prokuroria nuk e ka bërë të qartë, nëse i mbrojturi im ka tentu apo ka vepru”, ka thënë Hoxha, shkruan Betimiperdrejtesi.com.

Sipas Hoxhës, në këtë rast, klienti i tij, është viktimë e këtij procesi dhe se ai për 15 vjet sa ka qenë zyrtar në policinë e Kosovës, nuk ka marrë asnjë vërejtje.

Në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 9 tetor të vitit të kaluar, i akuzuari Qyqalla, ishte deklaruar i pafajshëm për akuzën që i vihet në barrë.

Kurse, në seancën e kaluar të 20 marsit 2018, i akuzuari Qyqalla, kishte deklaruar se nuk ka të bëjë asgjë me këtë rast, duke shtuar se ka vepruar ashtu siç parashihet me procedurat policore.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, së ngritur më 7 korrik 2017, Nexhmi Quqalla akuzohet se sa ishte në cilësinë e personit zyrtar, respektivisht si zyrtar policor në njësinë patrulluese të Stacionit të Trafikut, i kishte tejkaluar kompetencat e tij zyrtare.

Sipas aktakuzës, më 22 korrik të vitit 2016, në një aksident që kishte ndodhur në fshatin Bardh i Madh të Fushë Kosovës, ai kishte tentuar të ndryshojë faktet e aksidentit të trafikut në mënyrë që gjatë bisedës më njërin nga pjesëmarrësit në aksident, Hasan Berisha i kishte thënë “gjeje ndonjë dëshmitar të rrejshëm që të jap deklaratë dhe unë do ta rregullojë këtë rast”, thuhet mes tjerash në aktakuzë.

Me këtë, ai pretendohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par 1 i KPRK-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme