Shpërthimi i nëndetëses i mori bashkëshortin dhe të birin – “Pengu” i Christinës: Ia lashë djalit vendin tim…

Prishtinë | 26 Qer 2023 | 16:32 | Nga Ekonomia Online

Në mesin e personave që humbën jetën nga shpërthimi i nëndetëses “Titan” ishte dhe 19-vjeçari Suleman, i biri i Shahzada Dawood, një prej njerëzve më të pasur nga Pakistani.

Nëna e adoleshentit Christine Dawood ka thënë në një intervistë për BBC se në fillim kishin planifikuar që ajo të shkonte të eksploronte nën ujë me bashkëshortin, por vendosi t’ja linte vendin e saj të birit, pasi sipas saj “ai e donte vërtet atë gjë.”

Christine shprehet madje se ishte hera e dytë që planifikonin të shihnin mbetjet e Titanikut si çift. Herën e parë i pengoi pandemia, ndërsa këtë herë ajo la djalin e saj të shkonte.

Ditën kur ata hipën në nëndetëse ajo thotë se e gjithë familja ishte e emocionuar, pasi e cilësonin si udhëtimin e jetës. Por, fatkeqësisht rezultoi krejt e kundërta.

Ajo thotë se bashkë me vajzën e saj Alina, 17 vjeç ka pritur për ditë me radhë me ankth lajmin për dy të dashurit e tyre.

“Ne kishim shumë shpresë, shpresonim shumë që ata të dilnin mbi sipërfaqe shëndosh e mirë”, thotë ajo.

Biznesmeni, nënshtetas britanik Shahzada dhe Suleman ishin dy nga pesë viktimat e vrara kur nëndetësja pësoi një ‘shpërthim katastrofik’ vetëm 1600 metra nga harku i Titanikut.

Kur u pyet se cilat ishin fjalët e fundit që shkëmbyen, ajo tha: “Ne thjesht u përqafuam, qeshëm me të sepse Shahzada ishte aq i emocionuar, si një fëmijë i vogël. Të dy ishin shumë të emocionuar.”

Zonja Dawood është e pikëlluar dhe kujton me nostalgji momentin e parë kur e njohu Shahzada. Ata u dashuruan gjatë periudhës që ishin në universitet. Ajo që i bëri bashkë, thekson Christine ishte historia dhe fiksimi pas dokumentarëve.

Të ngjashme