Shteti me shumicë myslimane i jep të drejtë në gjykatë homoseksualit

Prishtinë | 26 Shk 2021 | 09:27 | Nga Ekonomia Online

Një burrë nga Malajzia ka fituar një rast në gjykatë kundër ndalimit islam të marrëdhënieve seksuale, siç thuhet “kundër rendit të natyrës”, duke i shtuar shpresat për pranim më të gjerë të të drejtave të komunitetit LGBT në shtetin me shumicë myslimane.

Në vendimin e njëzëshëm, gjykata më e lartë në Malajzi vendosi të enjten që dispozita islame që është përdorur kundër këtij personi është jokushtetuese dhe se autoritetet nuk kanë të drejtë për ta zbatuar atë.

“Kjo është historike. Është monumentale për të drejtat e LGBT-së në Malajzi”, tha Numan Afifi, themelues i një grupi për mbrojtjen e të drejtave të këtij komuniteti, që nuk ishte i përfshirë në rastin e gjykatës.

Burri në të tridhjetat, emrin e të cilin avokati nuk e publikua me qëllim për ta mbrojtur, paraqiti padi pasi u arrestua më 2018 në rajonin Selangor nën akuzën për tentim të kryerjes së marrëdhënieve seksuale me person të gjinisë së njëjtë, akuzë që është mohuar nga personi i akuzuar.

Marrëdhëniet seksuale mes personave të gjinisë së njëjtë janë ilegale në Malajzi, ndonëse dënimet për këtë janë të rralla. Shteti me 13 rajone administrative ka sistem ligjor të dyfishtë. Ligjet islamike zbatohen ndaj myslimanëve krahas ligjeve civile, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Pavarësisht vendimit në favor të këtij burri, burrat homoseksualë në Malajzi ende rrezikojnë të dënohen me 20 vjet burgim sipas një ligji të periudhës koloniale britanike, i njohur si Seksioni 377, me të cilin ndalohen marrëdhëniet seksuale mes personave të gjinisë së njëjtë.

Të ngjashme