​Interi favorit për ta transferuar yllin e Manchester Unitedit

Prishtinë | 06 Nën 2018 | 12:07 | Nga Ekonomia Online

Nëse sulmuesi francez i Manchester Unitedit, Anthony Martial, nuk e rinovon kontratën e tij me klubin, atëherë pritet që Interi t’i bëjë atij dhe klubit anglez një ofertë për transferimin e 22-vjeçarit gjatë afatit kalimtar të verës.

Për francezin është spekuluar se do të largohet edhe gjatë afatit kalimtar të verës së këtij viti pasi që agjenti i tij kishte bërë të ditur se lojtari mund të largohet për shkak se nuk ndihet i vlerësuar nga trajneri, përkundër dashurisë së madhe që ka për klubin dhe tifozët, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, përkundër interesimit të Juventusit dhe Chelseat, kur u mbyll afati kalimtar Martial ishte ende lojtar i Manchester Unitedit dhe tani ka arritur ta fitojë besimin e trajnerit, duke qenë në formacion të parë gjatë ndeshjeve të fundit.

Martiali, i cili e kishte fituar çmimin “Djaloshi i Artë”, e ka kontratën me “Djajtë e kuq” deri më 30 qershor të vitit 2019, por klubi e ka mundësinë t’ia vazhdojë kontratën edhe për një vit tjetër, deri në 2022-ën.

Francezit i është ofruar një kontratë e re nga Manchester Unitedi, megjithatë ata ende nuk e kanë arritur asnjë marrëveshje. Trajneri Jose Mourinho ka bërë të ditur se ai dhe klubi dëshiron që t’ia rinovojë kontratën Martialit.

Megjithatë, nëse një gjë e tillë nuk ndodh dhe Martial vendos të mos e vazhdojë kontratë, atëherë drejtuesit e klubit mund ta shesin Martialin në mënyrë që të mos e humbasin atë një vit më vonë si transferim të lirë.

Drejtori sportiv i zikaltërve, Piero Ausilio, është tifoz i madh i Martialit, dhe Tuttosport raporton se Interi është klubi me gjasat më të mëdha për ta transferuar francezin, nëse ai vendos të largohet nga Old Traffordi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme