Superpranvera amerikane, në Kaliforni nis “apokalipsi i lulëzimit”

Prishtinë | 26 Mar 2019 | 15:51 | Nga Ekonomia Online

Kalifornia mund të mos ketë parë kurrë një superlulëzim si ky. Edhe pse superlulëzimi i fundit ndodhi dy vite më parë, banorët thonë se ky i këtij viti është i jashtëzakonshëm.

Javët e fundit, lulet kanë shpërthyer në një pjesë të Kalifornisë Qendrore dhe Jugore dhe po vazhdojnë të lulëzojnë edhe në veri. Në disa vende, kjo është quajtur “apokalipsi i superlulëzimit”.

Rrugët janë shndërruar në vendparkime, kanionet malore janë mbyllur, të apasionuarit pas luleve e kanë gjetur veten të bllokuar në baltë nga helikopterët dhe vizitorët po shkelin çdo kodër apo lëndinë në kërkim të pozës perfekte.

Një superlulëzim është thjesht një shpërthim lulesh që e kalon normalen. Ato ndodhin mesatarisht një herë në dekadë në Kaliforni, por ky i tanishmi është i dyti në tre vjet.

Shirat e bollshme dhe bora në male janë faktorët që kanë ndikuar në këtë superlulëzim. Dimri i shkuar është ndër më të lagështit e regjistruar në Kaliforni, pas vitesh të tëra thatësirë në shtetin amerikan.

Sipas zyrtarëve lokalë, mbi 150 mijë vetë kanë vizituar zonën vetëm gjatë fundjavës dhe kjo ka bërë që të urdhërohet mbyllja e përkohshme e kanionit Uolker, për shkak të mbipopullimit. Imazhet e kodrinave të ngjyrosura janë veçanërisht goditëse, ndërkohë që edhe qiejt blu kalifornianë e bëjnë panoramën të duket si një copëz parajse. /Top Channel

Të ngjashme