Thaçi dënohet me 17 muaj burgim për pengim të drejtësisë

Prishtinë | 17 Nën 2026 | 10:51 | Nga Ekonomia Online

Dënimi është shpallur nga gjyqtari Kristofer Gosnell, të martën në seancën e mbajtur në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Pas shqiptimit të dënimit, Thaçi në momentin kur është ulur, është dëgjuar duke shprehur pakënaqësinë me vendimin e gjykatës.

“Kjo është politikë, nuk është drejtësi”, ka thënë Thaçi në sallën e gjyqit.

Thaçi është shpallur i pafajshëm për tentative për pengim të personave zyrtarë sipas pikës 3 të aktakuzës si dhe për mosbindje ndaj gjykatës sipas pikës 9 të aktakuzës.

Bashkim Smakaj është dënuar me 12 muaj burgim. Ai është shpallur fajtor për pengim të personave zyrtarë, për mosbindje të Gjykatës.

“Meqenëse keni kaluar më shumë muaj në paraburgim, ju liroheni”, ka thënë gjyqtari Gosnell.

Fadil Fazliu është shpallur fajtor për veprat pengim i drejtësisë dhe mosbindje ndaj gjykatës.

Ai është dënuar më 12 muaj burgim, i cili konsiderohet dënim i kryer për shkak të kohës së kaluar në paraburgim.

Ndërkohë Hajredin Kuçi është dënuar me një muaj burgim me kusht për veprën mosbindje ndaj gjykatës. Dënimi sipas Gjykatës, konsiderohet i kryer pas një viti nëse Kuçi nuk kryen asnjë vepër tjetër penale.

Isni Kilaj është shpallur i pafajshëm. Gjykatësi ka thënë se ai është shpallur i pafajshëm për mosbindje ndaj Gjykatës.

Të ngjashme