Themelohet Task-Forca e përbashkët në mes të Kosovës dhe së Maqedonisë së Veriut

Prishtinë | 22 Tet 2019 | 16:29 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me qëllim të eliminimit të kërcënimeve të sigurisë, kanë nënshkruar Protokollin mbi themelimin e Task Forcës së Përbashkët.

Nënshkrimi i këtij Protokolli u bë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z. Rashit Qalaj dhe drejtori i Policisë së Maqedonisë së Veriut, z. Sasho Tasevki. Ky protokoll u nënshkrua në kuadër të marrëveshjes mes të dy qeverive për bashkëpunim policor.   

Me këtë rast, ministri i Punëve të Brendshme, z. Ekrem Mustafa tha se nënshkrimi i këtij Protokolli në mes të dy vendeve është një vazhdimësi e bashkëpunimit shumë të mirë që Kosova dhe Maqedonia e kanë në fushën e sigurisë.

“Kosova dhe Maqedonia kontribuojnë në ngritjen e sigurisë, me qëllim të krijimit të një ambienti më të sigurt për rajonin. Të dy vendet po bëhen model i bashkëpunimit,  i cili duhet të zgjerohet tutje në rrafshin e bashkëpunimit rajonal edhe me shtetet tjera”, theksoi ministri Mustafa.

Task-Forca e përbashkët ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit të drejtpërdrejt në mes të dy vendeve për të eliminuar rreziqet e ndryshme për rendin dhe sigurinë publike, luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe krimeve tej-kufitare.

Të ngjashme