Turqia hap tregje shtetërore të perimeve për t’i luftuar çmimet e larta

Prishtinë | 12 Shk 2019 | 17:04 | Nga Ekonomia Online

Autoritetet turke kanë hapur tregje shtetërore për të shitur perime me çmime të ulëta, duke iu bërë konkurrencë tregtarëve privatë, të cilët qeveria i ka akuzuar për rritje të paarsyeshme të çmimeve.

Menjëherë pas hapjes së këtyre tregjeve, shumë njerëz janë parë duke pritur në radhë për të blerë domate, qepë dhe speca në lagjen e Bajram Pashës në Stamboll. Ata kanë pritur në radhë deri një orë për të blerë perime me çmim 100 për qind më të lirë se çmimet e dyqaneve private.

Tregtarët kanë thënë se stuhitë e motit në pjesën jugore të vendit kanë shkaktuar rritje të çmimit të perimeve. Përpos këtyre, ata e kanë arsyetuar rritjen e çmimit me koston e pagesës së punëtorëve dhe koston e transportit.

Sidoqoftë, autoritetet kanë thënë se tregtarët i kanë rritur çmimet e ushqimit në mënyrë të paarsyeshme dhe se do t’i ndëshkojnë të gjithë ata që mbajnë çmime të larta. “Kjo është lojë. Ata po manipulojnë me çmimet dhe po i çojnë në qiell”, ka thënë presidenti turk, Rexhep Erdogan.

Me iniciativën e qeverisë qendrore, komunat turke po shesin perime me çmime 100 për qind më të ulëta se çmimet e regjistruara nëpër dyqane në muajin janar. Një person mund të blejë deri tre kilogramë perime, ndërsa pritet që në të ardhmen edhe orizi të përfshihet në këtë ofertë të qeverisë, shkruan “Reuters”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme