Tymi i zjarrit në Kanada kërcënon shëndetin e miliona njerëzve

Prishtinë | 07 Qer 2023 | 08:56 | Nga Ekonomia Online

Paralajmërimet për cilësinë e ajrit me rrezik të lartë janë lëshuar për miliona njerëz në të gjithë Amerikën e Veriut për shkak të zjarreve të vazhdueshme në Kanada, raporton BBC, transmeton Klan Kosova.

Tymi i zjarrit ka mbuluar qytetet kryesore në Ontario dhe Quebec, duke përfshirë Toronton dhe zonat përreth.

Bëhet e ditur se tymi ka arritur deri në New York City dhe Connecticut, ku cilësia e ajrit është klasifikuar si “i pashëndetshëm”.

Pjesa më e madhe e tymit vjen nga Quebec, ku po digjen 160 zjarre.

Environment Canada lëshoi paralajmërimin më të fortë të martën për Otavën, duke e konsideruar cilësinë e ajrit në kryeqytetin kanadez një “rrezik shumë të lartë” për shëndetin e njerëzve.

Në Toronto dhe zonat përreth, cilësia e ajrit është klasifikuar si “rrezik i lartë”.

Ndërkohë, Agjencia Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA) e ka klasifikuar cilësinë e ajrit në pjesën më të madhe të SHBA-së verilindore si “të pashëndetshme”, veçanërisht për njerëzit që tashmë kishin probleme me frymëmarrjen.

Këshillimet për cilësinë e ajrit përfshijnë pjesën më të madhe të qytetit të Nju Jorkut dhe Konektikatit. Ato shtrihen gjithashtu deri në veri, në Boston dhe në jug deri në Pittsburgh dhe Washington DC.

Të ngjashme